Topalli: Miratuam reforma të rëndësishme, në mbështetje të integrimit

Bilanci i sesionit/Në dy vite kaluan në seancë plenare 454 akte dhe 308 ligje
Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi dje seancën e fundit plenare të sesionit të IV të Legjislaturës së XVIII, duke miratuar projektligjet e paketës së re fiskale të propozuar nga qeveria. Fillimisht, deputetët morën në shqyrtim dhe miratuan projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën “Për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare”; projektligjin “Për ratifikimin e protokollit që ndryshon aneksin e sigurisë të marrëveshjes ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut Verior për bashkëpunimin për informacionin atomik”; projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar dhe protokollit të saj të zbatimit”; projektligjin “Për transplatimin e indeve, të qelizave dhe të organeve në Republikën e Shqipërisë”; projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.076, datë 12. 02. 2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”; projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat” të ndryshuar”; projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” të ndryshuar”; projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” të ndryshuar”, si dhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” të ndryshuar”. Gjithashtu, Kuvendi miratoi projektrezolutën “Për vlerësimin e institucionit të ILDKP-së për vitin 2010”. Seanca vijoi punimet me votimin e disa kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në institucione. Kështu, deputetët votuan pro kandidaturës së Alban Karapicit për anëtar të Këshillit Kombëtar të Radio-Televizioneve, si dhe rikonfirmuan në një mandat të dytë zonjën Endira Bushati në krye të këtij institucioni. Më pas, deputetët u votuan pro rizgjedhjes së zonjës Lindita Lati në krye të Autoritet të Konkurrencës dhe miratuan kandidaturën e zonjës Servete Gruda si anëtare e bordit të Autoritetit të Konkurrencës. Po dje, seanca plenare miratoi edhe disa ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit. Kështu, me propozim të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike deputetët Rajmonda Bulku dhe Ilir Bano u zgjodhën anëtarë të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, deputeti Viktor Gumi sekretar, ndërsa deputetët Fatbardh Kadilli dhe Florion Mima si anëtarë zëvendësues të këtij komisioni. Përsa i përket Komisionit për Integrimin Europian, deputetja Mesila Doda u caktua zëvendëskryetare e këtij komisioni, deputeti Gerti Bogdani sekretar dhe deputeti Viktor Gumi anëtar. Sipas të njëjtit propozim, deputeti Gjokë Uldedaj u caktua anëtar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe deputeti Ismail Hoxha anëtar zëvendësues në këtë komision. Deputeti Luan Skuqi, u caktua anëtar zëvendësues në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputeti Ndue Paluca anëtar zëvendësues në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Ndryshime pësoi edhe komisioni hetimor për ngjarjet e 21 janarit, ku deputeti Fatbardh Kadilli u caktua anëtar i këtij komisioni dhe zoti Gent Strazimiri kryetar i tij. Në mbyllje të seancës Kryetarja e Kuvendit falënderoi të gjithë deputetët për bashkëpunimin gjatë gjithë kësaj periudhe. “Ju falënderoj të gjithëve për të gjithë bashkëpunimin për të gjithë punën që keni bërë gjatë të gjithë kësaj periudhe, për ligje dhe reforma të rëndësishme. Në dy vite keni votuar 454 akte, ndër të cilat 308 ligje të rëndësishme. Faleminderit për bashkëpunimin”, u shpreh kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Seanca plenare e cila shënoi mbylljen e sesionit të IV të legjislaturës së XVIII, i përfundoi punimet pak pas mesdite. Sesioni i ri do të fillojë, sipas rregullores së Kuvendit të hënën e javës së parë të muajit shtator, që përkon me datën 5.
...