E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Nikolli: Ministria e Brendshme po manipulon listat zgjedhore

TIRANË- Partia Socialiste akuzon qeverinë se po përgatit vjedhjen e zgjedhjeve të 8 majit pasi po manipulon listat e zgjedhjeve.
Sipas anëtares së kryesisë së PS Lindita Nikolli, Ministria e Brendshme në shkelje të plotë të nenit 52 të kodit zgjedhor po vijon ndryshimin e listave të zgjedhësve nëpërmjet regjistrimit në mënyrë të paligjshme si banorë të kryeqytetit.

“Në shkelje të plotë të nenit 52 të kodit zgjedhor Ministria e Brendshme e Lulzim bashës po vijon të lejojë ndryshimet në listat e zgjedhësve përmes regjisterimit të banorëve të rinj. Përmes kontratave fiktive të qerasë po shpërngulen banorë nga Bashki dhe Komuna, për tu regjistruar pranë zyrave të gjëndjeve civile në Tiranë dhe për tu bërë kështu votues të zgjedhjeve të 8 majit në shkelje të plotë të nenit 52 të kodit zgjedhor.”,- ka theksuar Nikolli.

Ndërkohë PS nëpërmjet Nikollit ka bërë me dije se kjo është një tentativë e pastër e blerjes së votës nga ana e Ministrisë së Brendshme.
“Kjo është një tentativë e pastër e blerjes së votës së shqiptarëve. Blerja e votës vazhdon pasi asgjë nuk e ndalon Lulzim Bashën dhe Minitrat e tjerë të kusarisë për të kërkuar edhe nga punonjësit e administratës publike që me pahir të bëhen banorë të Tiranës.”, - ka deklaruar anëtaria e kryesisë së PS.

Për manipulimet e listave zgjedhore PS ka njoftuar se do të protestojë deri në disponimin e plotë të listave zgjedhore nga ana e saj, të cilat do të bëjnë të mundur mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
“Nga dita e hënë ne do të protestojmsë pranë Drejtorisë së Përgjitshme të Civile dhe Ministrisë së Brendshme deri në plotësimin e kërkesës sonë legjitime për të disponuar listën e votuesve të përditësuar deri në datën 8 maj.”,- ka përfunduar anëtaria e kryesisë së PS, Lindita Nikolli.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›