Prangoset studentja, fshehu armën e të dashurit në konvikt
Arrestohet lushnjari, "i dashuri" i vajzës si dhe shoku i tij, pas zbulimit të automatikut. Akuzohen për armëmbajtje pa leje
TIRANE- Fshehu armën e të dashurit në dhomën e konviktit, arrestohet studentja e Fakultetit të Infermierisë, nga Fushë- Kruja. Pas arrestimit të 20- vjeçares, policia arreston të dashurin e saj nga Lushnja, si dhe një person tjetër me akuzën e armëmbajtjes pa leje si dhe të moskallëzimit të krimit.
E. R, 20 vjeçe nga Fushë- Kruja, studente e fakultetit të Infermierisë në Universitetin e Tiranës është arrestuar të hënën në mbrëmje nga efektivët e komisariatit të policisë nr.4, në kryeqytet, pasi në dhomën e saj të konviktit ku qëndronte në rrugën e Dibrës, policia i ka gjetur dhe i ka bllokuar një armë zjarri automatik "Kallashnikov" me një krëhër me disa fishekë.
Veç studentes E. R, policia arrestoi të dashurin e saj, Erkenes Zenelin, 23 vjeç, nga Lushnja si dhe shokun e këtij të fundit Aleksandër Lezon po 23 vjeç nga Erseka.
Burimet nga Policia e Tiranës thanë se ndërhyrja është kryer pas një telefonate anonime të ardhur në sallën operative të saj, sipas të cilës thuhej se në dhomën ku qëndronte vajza nga Fushë- Kruja kishte armë. Menjëherë policia ka kontrolluar konviktin e Fakultetit të Infermierisë ku edhe është gjetur e fshehur arma e zjarrit.
Sipas policisë, 20- vjeçarja e ndaluar ka deklaruar përpara hetuesve se automatiku i sekuestruar nuk është i saj, por i një të njohuri të saj që sipas policisë rezulton të jetë miku i ngushtë i saj.
"Ma ka sjellë para disa ditësh për ta mbajtur për pak kohë,- mësohet të ketë deklaruar në polici e arrestuara. Pas deklarimit të vajzës blutë kanë arrestuar në lidhje me këtë ngjarje dhe dy të rinjtë që dyshohen se janë pronarët e armës që u gjet në konviktin e "Infiermerisë".
Erkens Zeneli, banues në Lushnje dhe Aleksandër Lezo, banues në Ersekë, të dy rreth moshës 23 vjeç, janë të dyshuar nga Policia se kanë patur më parë armën, para se ajo të përfundonte në njërën nga dhomat e konviktit.
Sipas policisë, i riu nga Lushnja që mendohet të jetë i dashuri i studentes së Infermierisë ia ka dhënë armën të njohurës së tij për ta fshehur, por që nuk e ka menduar mirë se mbajtja e armës në konvikt mund të dekonspirohej nga studentët e tjerë.
Ajo që ka zbuluar armën ka qenë një telefonatë e bërë në Policinë e kryeqytetit, ku është lajmëruar policia se në ambientet e konviktit të vajzave të Fakultetit të Infermierisë gjendet një armë. Policia pas arrestimit të tre të rinjve i ka marrë në pyetje për qëllimin e mbajtjes së armës dhe mënyrën se si ajo ka arritur të përfundojë brenda në konvikt.
Policia ka pyetur jo vetëm protagonistët e ngjarjes, por edhe studentë të tjerë të konviktit për të marrë sa më shumë informacion rreth të arrestuarve.Lidhur me këtë ngjarje po hetohet nëse të arrestuarit posedojnë armë të tjera që mund t'i mbajnë të fshehura.
Dy 23- vjeçarët dhe studentja nga Fushë- Kruja duhet të përballen me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve luftarake.