E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Nisma synon përfitime ekonomike dhe politike

Nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ervin Bushati, deklaroi dje se vendimi i Berishës për një reformë të re agrare në bregdet bëhet për përfitime ekonomike, politike dhe elektorale. Në një prononcim për gazetën "Shqip", Bushati vuri në dukje se vendime të tilla janë në natyrën e këtij Kryeministri. "Ashtu si projekte të tjera të qeverisë, ky propozim ‘rrufe‘ vjen si nismë personale e Kryeministrit që më vonë do të kthehet në projekt ligjor. Është formë e njohur tashmë, kjo e stilit personal të Kryeministrit që vendos dhe pastaj pyet për ligjin, logjikën ekonomike dhe ekspertizën", tha ai. Bushati theksoi se si zakonisht këto lloj vendimesh operative të Berishës kanë një prapaskenë të thjeshtë përfitimi: politik, ekonomik dhe elektoral. "Do nxjerrë përfitime politike, sepse pretendon sikur zgjidh çështjen gangrenë të pronave, përfitime ekonomik sepse ata që do të vendosin për ‘faljen e tokës‘ do të bëjnë shumë lekë me këto prona të çmuara në bregdet dhe elektorale ,sepse do të jetë Partia Demokratike kriteri kualifikues për të tjetërsuar një pronë në mënyrë ilegjitime", insistoi ai. Bushati theksoi se nëse logjika normale e procedurës do të ndiqte rrugën e saj, duhet të shihnim një trajektore ligjore të propozimit, pasi të jetë bërë studimi juridik ashtu si dhe fizibiliteti ekonomik. E sipas tij, në një shtet ligjor, duhet të ishte në radhë të parë gjykata institucioni që do të merrej me të drejtat dhe ankesat e pronarëve të ligjshëm. "Ndërkohë dihet që Kryeministri preferon të zëvendësojë organet legjitime të një shteti funksional me krijesa anormale si: Komisionin e Kthimit të Pronave në vend të Gjykatës, apo Policinë e Armatosur Tatimore në vend të Shërbimit Informativ Kombëtar. Nuk është hera e parë dhe as e fundit që ngjallet një monstër e krijuar nga vetë doktori si në librat e Mary Shelley, monstër e një pushteti që nuk e sheh të drejtën dhe pronën si bazën e shtetit ligjor", u shpreh Bushati. Sipas tij, vendimmarrja politike pa dimensionin legal është abuzim dhe populizëm i pastër, që përdoret për përfitime ekonomike dhe elektorale afatshkurtra në dëm të investimit tonë afatgjatë për një shoqëri më të drejtë, më të ndershme dhe më të begatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›