E Shtunë, 31 Tetor 2026

KOMUNIZMI - NJE KAPITULL I MBYLLUR

Në fillimin e vitit të 20-të të kohës prej ndryshimit të sistemit politik, shqyrtimet retrospektive të asaj që ndodhi në dhjetorin e vitit 1990 njohën disa ndryshime pozitive. Doli se kishte pasur më shumë dokumente se mendohej për të rindërtuar kohën ashtu si qe. Doli se shumica e dhjetoristëve kishin nisur të shkruanin kujtime shumë herët dhe se historia i kishte mbajtur shënimet e veta. Doli se një pjesë e mirë e së vërtetës ishte heshtur, kundërshtuar e përjashtuar me kokëfortësi për vite e dekada me radhë.
Duket se padyshim ndodhi një proces pozitiv: më në fund e shkuara u la të fliste me gjuhën e vet, me gjuhën e korrespondencës zyrtare, me gjuhën e imazhit, me gjuhën e dëshmisë së shkruar. Kur një shoqëri vendos të kalojë prej kujtimeve te dokumentet, është njësoj si të ketë vendosur të kalojë prej folklorit në dije. Ndryshimi është cilësor dhe mund të thuhet se kjo qe gjëja më e rëndësishme e gjithë përkujtimit të sivjetshëm të ngjarjeve të dhjetorit, të lëvizjes së rinisë shqiptare më 1990.
Si gjithnjë, pjesën e paarrirë të analizës së sivjetshme të ngjarjes e ngatërruan vetë protagonistët e saj, nëse mund të quhen kështu. Kjo ka anën e vet të pashmangshme. Ata që merren me shkencën e historisë, i përmbahen parimit se të shkruarit e saj mbetet një proces i implikuar deri sa të jetojë dhe dëshmitari i fundmë i gjallë i ngjarjes, sepse në parimin e hulumtimit, studimit dhe rishkrimit, qoftë edhe të një monografie, dëshmitari i gjallë është ngatërrestari i historisë. Sidomos dëshmitari që mendon të monumentalizojë vetveten dhe jo ngjarjen vetë. Kjo është arsyeja pse në gjuhën e specialistit dëshmia vetjake vlen për të qartësuar një proces historik vetëm kur nuk ka asnjë burim tjetër. Dhe dëshmitarë të ndryshimit që ndodhi më 1990 ka shumë. Pjesa më e madhe e tyre tashmë janë armiq të partive që patën krijuar; janë dëbuar si tradhtarë e devijatorë prej tyre; gjenden në anën e kundërt të rreshtimit politik të "çastit-zero"; janë ndarë e ribashkuar me burimin.
Të gjithë këta gjithnjë e më shumë përngjasojnë me veteranët e dikurshëm, ca më tepër me "ata të 1941-shit", "komunistët-lule", me "dyqind petritat", që gjithnjë mbeteshin dyqind, pavarësisht se seleksioni politik bënte pa mëshirë të vetën vit pas viti. Janë gjithnjë të njëjtët, që pasi kanë shkruar e botuar librat e kujtimeve, duke qenë rreth të 40-ve, nguten të përforcojnë vendin e tyre në histori, si "dëshmitarë të lajmit të mirë", që kanë pasur fatin të jenë pranë të parit, pranë burimit vetë, atje ku projektohej e ardhmja, atje ku gjithçka ndodhi në një mënyrë të atillë, të thuash profetike, që sot të mos ketë asgjë për të qortuar, asgjë për të saktësuar, asgjë për të qenë vetjake, e paparashikuar, e palidhur me partinë, jashtë logjikës së pushtetit.
"Ata të 1990-ës" këtu kanë qenë qysh kur jeta politike në Shqipëri ndryshoi kahje. Dhe shqiptarët këtu kanë qenë, në pritje që të dëgjojnë prej tyre jo të vërtetat e shefave, por ato të vetat. Kjo nuk ndodhi për vite me radhë. Ajo që ndodhi këto ditë të bukura dhjetori (si atëherë), më shumë është e kohës dhe e një trazimi të inattë të historisë për të mos mbajtur më të fshehta.
Po pse u trazua historia?
Nuk janë më disa muaj e vite, por dy dekada të vërteta, që shqiptarët dëgjojnë vit për vit të njëjtën vetëmburrje: ne përmbysëm komunizmin, ne rrëzuam diktaturën më të egër dhe më çnjerëzore në Europë, ne shembëm sistemin totalitar, ne çrrënjosëm të shkuarën barbare dhe tiranike. E ndriçuar në shkolla, breznitë e reja e kuptojnë të gjithë këtë tregim si një të shkuar të tejshkuar. Ajo çka duhet ta vrasim mendjen të gjithë ne politikanë dhe qytetarë, europeiste dhe iluministë, është se cilat janë meritat politike të elitës së re, të asaj elite që ekziston. Meritat e mirëqeverisjes dhe jo të sistemit politik apo për shkak të sistemit politik. Meritat e funksionimit të një demokracie autentike dhe jo të lirisë që e sjell vetë përmbysja globale. Meritat e rritjes së rendimentit të pushteteve dhe jo të alternativës. Sepse kapitulli i varrosjes së komunizmit mbaroi me prishjen e Kushtetutës së vjetër dhe me burgosjen e protagonistëve të politikës së dikurshme. Prej 20 vjetësh s‘mund të vazhdojmë të mburremi ende me një ngjarje që përmbysi një epokë dhe ngriti një tjetër. Në 1989 ra perdja e hekurt e komunizmit në gjysmën e kontinentit të vjetër, pikërisht sepse filozofia e re që po lindte nga mesi i shekullit XIX të ish sjellë në këtë kontinent ku kish lindur prej së pari në 1215, Magna Carta. Ky mbetet një kapitull i mbyllur dhe rruga para na mëson se s‘duhet ta harrojmë për një arsye të vetme; që ajo të mos përsëritet! Në një kuptim, të gjithë qeverisësit e vendit prej vitit 1991 e këndej janë alternativistë ndaj së shkuarës dhe asnjë prej tyre nuk i del për zot asaj.
Ajo pjesë e dokumentacionit që iu bë e ditur publikut sivjet, provoi se përmbysja politike e vitit 1990 ishte një dukuri e pashmangshme, ishte pjesë e vonuar e një procesi botëror, që do të ndodhte pa dyshim me apo pa dhjetoristët, me apo pa protagonistët e vetëshpallur të historisë, sepse nuk kishte rrugë tjetër as për popullin, as për studentët, as për intelektualët, madje as për ata vetë që ishin në krye dhe që, siç po del gjithnjë e më qartë, qysh në fillim të vitit 1990 ishin vënë në kërkim të kontestatorëve, kishin provuar të verifikonin gjendjen e ndonjë vullneti politik ndryshe.
Askush nuk e beson më se gjithçka ndodhi si me magji, midis dy datave, nga 8 deri më 12 dhjetor (tani data e dytë u shty edhe ca, deri më 19 dhjetor). Sepse askush nuk e beson më se studentët e nisën qysh në krye lëvizjen e tyre për të kërkuar pluralizmin politik dhe përmbysjen e pushtetit të mëparshëm. Nuk e kishin këtë mendim madje as në kohën që krijimi i alternativës politike ishte lejuar ligjërisht, sepse misionarët e atyre ditëve para së gjithash ia dedikonin mirënjohjen kryetarit të atëhershëm të shtetit, madje kërkonin dhe ngritjen e busteve të tij apo bashkimin e tij me opozitën e re që po lindte.
Ky dhjetor solli një të mirë të madhe, që hapi dritaret e burimeve të kohës. Jo të të gjithave, dhe as që pritej, por të paktën të një pjese. Jo edhe procesverbalet e mbledhjeve të para të opozitës së re, ku do të mësohej se ç‘rryma e orientime kishin njerëzit në atë kohë, si u përpunua vija e së djathtës në krye të herës dhe cilët ishin raportet midis lidershipit të sotëm dhe atij të parë. Ky dhjetor dëshmoi dhe një të keqe të madhe e të pashëruar: dhjetoristët, në pjesën më të madhe të tyre, u paraqitën jo si njerëzit e mendimit të lirë, por si robër idesh, njerëz doktrinarë, fanatikë në rreshtimin e kryehershëm, të papërgatitur për reflektim intelektual, besnikë të fjalës dhe interpretimit të të parit, mosndryshues, konsekuentë. Asgjë liberale nuk u pa në mendjen e tyre edhe këtë vit. Ora e tyre kish mbetur tek ajo ditë historike; fjalori dhe ndërgjegjja u ngri në atë çast të vetëtimtë; madje edhe se disa gënjeshtra që i përsërisin vit pas viti tanimë i besojnë edhe ata vetë por askush më tjetër. Dhjetoristë dhe doktrinarë është një gjë e trishtueshme. Doktrinarizmi i dhjetoristëve shprehet në radhë të parë në të kuptuarit e politikës së sotme në të njëjtin raport si më 1990: ne dhe ju. Por që nga viti 1990 ndryshimi është rrënjësor.
Në dhjetor të 1990-ës "ne" ishte gjithë populli, "ne" ishte gjysma e ngurtësuar e botës; "ne" nuk ishte një parti, por një lëvizje popullore. Më 1990 vetëm një grusht fanatikësh mund të besonin se "fanari i komunizmit" mund të ndriçonte e të mos shuhej. Kurse sot dallimi "ne-ata" nuk ka të bëjë më aspak me idealin e komunistëve dhe projektin e demokratëve.
Po pse shqetëson kaq shume doktrinarizmi i dhjetoristëve? Sepse doktrinarizmi i tyre bën që të duket shumë e zbehtë mundësia që të ripërtërihet një idealizëm i djathtë, sikurse ishte ai i tillë, edhe ashtu në mënyrën e vet të paorganizuar në brezat e rinisë së viteve 1980-1990, brezin që u rrit me protestën e artit perëndimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›