Nisma e qeverisë për pronat, PR kundër
Mazhoranca do të çojë në Kuvend brenda kësaj jave draftin i cili i hap rrugë marrjes së tapive të pronësisë nga ana e atyre personave të cilët kanë pasur në përdorim tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi dje në parim edhe draftin i cili do t‘ju njohë këtyre banorëve të drejtën e pronësisë në pronën që kanë në zotërim, ose i kompensimit me tokë turistike, në raste të caktuara. Kështu pritet që familjeve të cilat kanë marrë pronë në përdorim t‘ju jepet në pronësi 300-750 metra katrorë truall, sipas pjesëtarëve të familjes. Me miratimin e kësaj nisme, pritet plotësimi i një premtimi elektoral që ka bërë Kryeministri Berisha, kryesisht në zonat e Jugut të vendit. Ky draft kishte më shumë se dy vite që qëndronte në sirtarët e Kuvendit, nisur edhe nga fakti se është kundërshtuar ashpër nga Partia Republikane dhe përfaqësuesit e tjerë të interesave të ish-pronarëve në vend.
Drafti
Sipas draftit, i cili mori miratimin dje në komision, prona do t‘ju njihet banorëve që e kanë pasur në përdorim deri në masën e 750 metrave katrorë. Kështu nëse këto familje kanë në përdorim më shumë se sipërfaqja që u jep drafti i ri, ato do të jenë të detyruara ta kthejnë atë, edhe nëse në ato prona kanë kryer investime. Në draftin e ri, trajtohet edhe rasti i veçantë i banorëve të Ksamilit, vend në të cilin banorët nuk e kanë pasur tokën në përdorim. Sipas deputetit të PD-së, Ilir Rusmali, në rastin e këtyre banorëve, në pronësi do t‘ju kalojë tokë truall në tjetër vend. "Në tokat e Ksamilit, ku banorët asnjëherë nuk e kanë pasur pronësinë dhe madje as nuk i kanë pasur në përdorim, nuk do t‘u japim tokat që kanë zënë, por do t‘i kompensojmë diku tjetër. Edhe në ish-fermat bujqësore dhe në zonat turistike nuk i jepet pjesë nga ajo që kanë, po kompensim për atë që kanë pasur", deklaroi Rusmali, i pranishëm në mbledhjen e komisionit parlamentar.
Kundërshtitë
Partia Republikane, e cila është një nga aleatët më të ngushtë të PD-së në qeveri dhe përfaqësuesit e ish-pronarëve e kanë kundërshtuar ashpër draftin, i cili prej dy vitesh ka qenë i depozituar në Parlament, por nuk ka kaluar në miratim. Përfaqësuesi i PR-së, Arian Madhi, në një prononcim për "Shqip" theksoi se dy vite më parë, kur kjo nismë do të kalonte në Parlament për votim, grupi parlamentar i republikanëve në shenjë proteste ka dalë jashtë sallës së seancave plenare. Sipas Madhit, kjo nismë është kundër filozofisë së kthimit dhe kompensimit të pronave dhe kundër frymës së Kushtetutës. "Kjo nismë cenon ish-pronarët legjitimë të tokës dhe shpik pronarë të rinj. "Nuk e kuptoj se pse qeveria po kërkon të krijojë pronarë të rinj, kur ndaj banorëve të cilët i kanë pasur në përdorim këto toka për afro 20 vite, nuk ka asnjë detyrim", theksoi Madhi. Sipas tij, qeveria po u jep këtyre personave bonuse të pamerituara. Po kështu ai shton se nuk ka asnjë studim i cili tregon se këta persona kanë nevoja ekonomike dhe mund të ndodhë që tokën të cilën do ta marrin në formë trualli ta shesin përsëri, duke bërë kështu vetëm një transfertë financiare.