PS: Nuk duhen 100 prokurorë, mjafton një komision hetimor që të hapë kutitë Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati

Pas ofertës së Kryeministrit Berisha të bërë një ditë më parë, Partia Socialiste reagoi sot duke theksuar se nuk duhen 100 prokurorë, mjafton një komision hetimor që nuk ndalohet të hapë kutitë. Përmes një deklarate për shtyp, deputeti socialist, Ditmir Bushati, vlerësoi se vetëm një mazhorance që i trembet të vërtetës që fshihet në kutitë e votimit të 28 qershorit, mund të veprojë siç bëri të premten mazhoranca e Sali Berishës duke vendosur me diktatin e kartonëve dhe muskujve për një komision i cili mund të bëjë shumëçka, por vetëm transparencë jo. “Përsa i përket propozimit të vjetër të Sali Berishës për hetimin e zgjedhjeve nga një grup prej 100 prokurorësh, do të thosha se nuk duhen 100 prokurorë po vetëm një mazhorance që zbaton Kushtetutën dhe nuk pengon transparencën! Transparenca e kutive dhe kontrolli i zbatimit të ligjeve është detyra kushtetuese e ligjvënësit”, reagoi Partia Socialiste. Ndërsa deputeti socialist theksoi se “nuk duhen 100 prokurorë, mjafton një komision hetimor që nuk ndalohet të hapë kutitë”.