PS thirrje shqiptarëve: Bashkohuni me ne në një valë të pandalshme protestash kundër qeverisë Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka

Partia Socialiste ka ftuar sot qytetarët që t’u bashkohen protestave të tyre kundër Qeverisë. Në një komunikim për mediat nga selia rozë, deputetja e kësaj partie, Olta Xhaçka, tha se Sali Berisha na flet për mirëqenie e për politika sociale por sot shqiptarëve u duhet të përballen me një rritje të çmimit të energjisë që i merr çdo familjeje mesatare shqiptare 30 për qind të të ardhurave të tyre të pakta. Sipas saj, “Sali Berisha flet për rritje ekonomike, por sot shqiptarët konsumojnë 18 për qind më pak ushqime si pasojë e rritjes së papërballueshme të çmimit të zarzavateve, frutave e të gjitha produkteve të tjera ushqimore. Prandaj sot është koha për t'iu bashkuar protestës sonë”. Ajo theksoi se “Sali Berisha flet për ndihmën ndaj biznesit shqiptar, por sot bizneseve, të mëdha e të vogla, po u merret fryma nga politikat e mbrapshta ekonomike e tatimore të qeverisë Berisha”. “Për të gjitha këto arsye dhe për atë mori problemesh që ne të gjithë i përjetojmë në jetën tonë të përditshme, sot, u bëjmë thirrje shqiptarëve që të na bashkohen në një valë të pandalshme protestash kundër kësaj qeverie e cila sot më pak se kurrë, ka legjitimitetin për të na qeverisur”, drejtoi ftesën qytetarëve, Olta Xhaçka.