Kryeministri Berisha: Të finalizohen sa më shpejt projektet e financuara nga Komisioni Evropian Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë drejtimit të Komitetit të Planifikimit të Strategjive

Komiteti i Planifikimit të Strategjive, nën drejtimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, mori në shqyrtim një nga një, një seri projektesh të rëndësishme, të financuara nga Komisioni Evropian, me qëllim finalizimin e tyre, në kohën më të shkurtër të mundshme. Duke marrë fjalën në këtë mbledhje, Berisha tha se “Ministria e integrimit, e cila mbikëqyr ecurinë e projekteve, ka veçuar, së bashku me Departamentin e Koordinimit dhe të Bashkërendimit të Strategjive dhe ndihmës së huaj, këto projekte dhe i ka sjellë për një shqyrtim më të hollësishëm, në këtë komitet, ku janë të përfaqësuar të gjitha institucionet , sidomos ato të lidhura me projektet që do të shqyrtohen”. Ai vuri në dukje se në disa raste, për shkak të kompleksitetit, është i nevojshëm një qëndrim i ri, ndaj projekteve në fjalë. “Disa prej këtyre projekteve kanë tetë vite në zbatim e sipër. Është marrë me trajtimin e tyre, por kjo mbledhje duhet t’u japë përgjigje përfundimtare”, deklaroi Berisha. Duke evidentuar se ka projekte, të cilat datojnë që nga vitit 2002 apo 2003, Kryeministri theksoi se është shumë e rëndësishme që kjo mbledhje tu japë përgjigje të gjithë problematikës së këtyre projekteve , në mënyrë që ato të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur. “Në ndonjë rast mund të ketë nevojë për ndryshim të mbikëqyrjes së projektit. Në raste të tjera ka domosdoshmëri për ndërhyrje edhe në buxhetin e shtetit, sepse disa nga këto projekte datojnë që nga viti 2002 apo 2003, disa janë projekte që bashkëlidhen me projekte të tjera, por është shumë e rëndësishme që kjo mbledhje tu japë përgjigje të gjithë problematikës së këtyre projekteve në mënyrë që ato të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur”, vlerësoi Kryeministri i Shqipërisë.