E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Nuk e njohim vendimin e Kolegjit Zgjedhor

TIRANË- Partia Socialiste nuk do të njohë vendimin e djeshëm të Kolegjit Zgjedhor. Ky qëndrim është përcjellë qartë përmes një deklarate për shtyp nga selia rozë vetëm pak orë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Në këtë deklaratë, Partia Socialiste e konsideron vendimin të pabazuar në ligj e për pasojë të papranueshëm. “Partia Socialiste e Shqipërisë e konsideron vendimin e sotëm të Kolegjit Zgjedhor absolutisht të pabazuar në ligj dhe tërësisht të papranueshëm. Ky vendim flet qartë për vështirësinë e jashtëzakonshme të dhënies së drejtësisë në këtë vend dhe për pamundësinë e trupit gjykues për të vendosur në bazë të ligjit e jo të rrethanave politike apo interesave vetjake të secilit gjykatës”, - thuhet në njoftimin për shtyp të PS-së. Por, pavarësisht vendimit të djeshëm të Kolegjit që pushonte ankesën e PS-së për KZAZ-në 49 të Tiranës, ekspertët ligjorë të PS-së do të vijojnë të depozitojnë padi, deri sa ky Kolegj të zbatojë ligjet në fuqi. “Megjithatë, Partia Socialiste do të vazhdojë ta kërkojë të drejtën e saj në dyert e sistemit të drejtësisë, duke shpresuar, deri në fund, se gjyqtarët do të zbatojnë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjet në fuqi. Partia Socialiste u bën publikisht thirrje gjyqtarëve që të japin drejtësi, jashtë çdo ndikimi politik, dhe të mos harrojnë për asnjë çast se kjo çështje është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me interesat kombëtare, me demokracinë e stabilitetin e vendit, me drejtësinë e drejtë, të pavarur e të pandikueshme për asnjë arsye politike apo ngushtësisht vetjake”,- thuhet në njoftimin për shtyp të PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›