E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia për Ristanin, “nul”, Prokuroria pret Kolegjin

SHKRUAN: Leonard Bakillari 27-05-2011 10:50

Tiranë- Prokuroria e Tiranës nuk ka regjistruar ende një procedim penal ndaj kreut të KQZ-së dhe tre anëtarëve demokratë të këtij institucioni, edhe pse Partia Socialiste ka depozituar ndaj tyre kallëzimin penal. Kur ka kaluar më shumë se një javë nga kallëzimi me të cilin është njohur edhe Prokurorja e Përgjithshme, grupi hetimor ende nuk ka marrë një vendim për këtë çështje, duke mbajtur kështu pezull hetimet në pritje të një vendimi të Kolegjit Zgjedhor për të gjitha çështjet që kontestojnë socialistët. Burime të rezervuara pranë Prokurorisë thanë se kallëzimi i është përcjellë për verifikime të mëtejshme grupit hetimor, i cili deri tani nuk ka kryer asnjë veprim rreth kërkesës së Partisë Socialiste. Shkak është bërë mungesa e një vendimi përfundimtar të Kolegjit Zgjedhor, i cili është institucioni i vetëm që mund të gjykojë punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke analizuar pretendimet e Partisë Socialiste, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se KQZ në këtë rast ka ushtruar detyrën e vet kushtetuese, ndërsa vendimet e tij gjykohen nga një institucion tjetër më i lartë, që në rastin konkret është Kolegji Zgjedhor. Në këtë situatë, organi procedues nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë, apo gjykuar punën e KQZ-së, jo vetëm se është një institucion kolegjial, por edhe për mungesën e tagrit ligjor. Gjithsesi, burimet shprehen se çështja është ende në fazë verifikimi, duke konfirmuar se deri tani nuk është kryer asnjë prej veprimeve që kërkon Partia Socialiste, siç janë sekuestrimi i serverit të kamerave të këtij institucioni, apo edhe procesverbalet e mbledhjes së KQZ-së. Të gjithë këta elementë të analizuar me kujdes nga grupi hetimor, mund ta çojnë çështjen drejt mosfillimit të hetimeve, pavarësisht vendimeve të Kolegjit Zgjedhor. Nëse institucioni më i lartë, që në këtë rast është Gjykata e Apelit, lë në fuqi vendimet e KQZ-së, atëherë do të thotë se këto vendime kanë qenë të ligjshme dhe të bazuara. Por edhe në rast të kundërt, nëse vendimet e KQZ-së rrëzohen nga institucioni më i lartë, do të thotë se është korrigjuar puna e KQZ-së nga një institucion me detyrë të posaçme kushtetuese për administrimin e zgjedhjeve. Në të gjitha rastet, duket se Prokuroria mbetet e pafuqishme ligjërisht për të hetuar pretendimet e Partisë Socialiste, e cila kërkon, ndër të tjera, edhe ekspertim toksikologjik për kreun e KQZ-së, Arben Ristani. Më shumë se një javë më parë, sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, i kërkoi Prokurorisë nisjen e hetimeve për kreun dhe tre anëtarët demokratë të KQZ-së, për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimin e dokumenteve, me pasojë ndryshimin e rezultateve të zgjedhjeve të 8 Majit. Shkak i këtij kallëzimi penal u bë vendimi me shumicë të thjeshtë votash nga katër anëtarë të KQZ-së për hapjen e kutive dhe numërimin e votave të pa numëruara gjatë procesit të mëparshëm. Në listën e personave të kallëzuar penalisht janë edhe tre anëtarët demokratë të KQZ-së: Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj. Në kallëzimin penal Partia Socialiste pretendon se gjatë procesit të lëvizjes së kutive, apo numërimit të votave, kryetari dhe tre anëtarët e KQZ-së janë ndihmuar edhe nga persona të tjerë të pa identifikuar, për të cilët kërkon administrimin e provave që mund të çojnë drejt gjetjes dhe identifikimit të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›