Rrëzohet kërkesa nr 1 e PS, sot testi i votave të gabuara
Kolegji Zgjedhor zgjat ankthin e palëve për fatin e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës. Trupa e gjyqtarëve, e drejtuar nga Petraq Dhimitri, nuk e pa të arsyeshme që të pranojë si të ligjshme kërkesën e socialistëve për të detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të miratojë tabelën përmbledhëse të rezultateve të KZAZ-së 49, që i përket njësisë 5 në Tiranë, sipas tabelave të rezultateve të hartuara nga grupet e numërimit. Megjithatë, në vendimin e vet të parë për Tiranën, Kolegji ka qenë i kujdesshëm në vendimmarrje, pasi nuk është shprehur për rrëzim të kërkesës së socialistëve, por për pushim të shqyrtimit të saj, duke mos dhënë asnjë argument.
Paditësit
Megjithëse konsiderohej një çështje e mbyllur, shqyrtimi nga Kolegji Zgjedhor i kërkesës së socialistëve me objekt detyrimin e KQZ-së për të miratuar tabelën e rezultateve për njësinë 5 ka ngjallur një interes të veçantë, jo vetëm të mediave por edhe të përfaqësuesve politikë të dy partive kryesore. Për herë të parë, në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, përveç përfaqësuesve ligjorë apo avokatëve, janë parë edhe deputetë të dy forcave kryesore politike, si Ilir Rusmali dhe Eduard Halimi nga kampi blu dhe Damian Gjiknuri nga ai rozë. Pasi trupa gjyqësore e përbërë Petraq Dhimitri, Dhurata Haveri, Entela Prifti, Marie Qirjazi dhe Sashenka Jonuzi, ka hapur seancën, të parët që kanë parashtruar pretendimet e tyre për çështjen kanë qenë dy avokatët e palës ankimuese, Eno Bushi dhe Arjan Salati, të cilët kanë sjellë argumente në funksion të pretendimit se KQZ ka shkelur procedurën që përcakton ligji zgjedhor dhe konkretisht nenin 123 të tij, për të miratuar tabelat e rezultateve për njësinë 5 dhe gjithë Tiranës, brenda 48 orëve nga dorëzimi i tyre nga KZAZ-ja përkatëse. Por ndërsa pretendonin se problemi i tyre ligjor kishte të bënte vetëm me procedurën dhe jo me thelbin, pra me përmbajtjen e rezultateve, përfaqësuesit e majtë kanë këmbëngulur se KQZ duhej të kishte miratuar tabelën e rezultateve, sipas të dhënave të ardhura nga KZAZ-ja numër 5 dhe më pas për gjithë Tiranën, sipas tabelave të ardhura nga çdo KZAZ. Sipas avokatit Eno Bushi, ishte përgjegjësi e Kolegjit që të detyronte KQZ-në që të miratonte tabelat e rezultateve dhe tabelën përmbledhëse të gjithë Bashkisë së Tiranës, sipas shumatores së të gjitha rezultateve të sjella nga KZAZ-të dhe jo sipas tabelave të ndryshuara nga KQZ. Madje, ata kanë propozuar që Kolegji të shohë dhe përmbajtjen e dy vendimeve të KQZ-së, atë të miratimit të tabelës së njësisë 5 dhe atë për miratimin e tabelës përmbledhëse për gjithë Tiranën.
Të paditurit
Nuk kanë qenë dakord me këtë logjikë përfaqësuesit e palës së paditur, KQZ dhe palës së interesuar, Partia Demokratike. Që në fillim, përfaqësuesit respektivë kanë bërë të qartë se objekti i kërkesës nuk qëndron nga ana logjike dhe faktike, sepse tashmë prej disa ditësh, KQZ e ka miratuar tabelën e rezultateve për njësinë 5 dhe për gjithë Tiranën. Ndaj, ata kanë kërkuar që kjo çështje të pushohej së shqyrtuari. Lidhur me pretendimin e socialistëve, se tabela e miratuar nga KQZ ishte e ndryshme nga ajo që kërkonin ata në padinë e tyre, KQZ dhe PD kanë arsyetuar se një pretendim i tillë nuk ka të bëjë me procedurën, por me themelin e çështjes. Në përfundim, trupa e Kolegjit Zgjedhor pas dy orësh konsultime ka dhënë vendimin për pushimin e shqyrtimit të çështjes.