E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Nuk ka qetësi sociale pa u zgjidhur çështja e pronës

Tiranë- Partia Socialiste ka deklaruar se çështja e pronave është në themelet e programit të saj dhe tryeza për pronat ka pasur shtrirje të madhe për shkak të impaktit social.

Sipas kryetares së grupit të punës për programin për çështjen e pronave në PS, Merita Qatos në këtë tryezë u diskutua për problemet e titujve të pronësisë, dhe gjithashtu edhe 12 rekomandimet e BE- së.

Zgjidhja e problemit të titujve të pronësisë dhe sigurisë së këtyre titujve është një nga çështjet më të rëndësishme që qëndrojnë në themel të të katër shtyllave të Rilindjes Shqiptare. Nuk ka zhvillim ekonomik pa u zgjidhur çështja e pronës, dhe PS ka marrë përsipër ta zgjidhë atë. Nuk ka qetësi sociale, pa u zgjidhur çështja e pronës dhe PS me Programin e saj ka marrë përsipër për ta zgjidhur atë. Nuk ka një shoqëri demokratike dhe shtet ligjor nëse nuk luftohet korrupsioni dhe nuk shkon prona te i zoti- u shpreh Qato.

Drafti i Programit propozon zgjidhje për çështjet më të prekshme, siç janë kthimi i pronës, legalizimet, regjistrimi i pasurive të paluajtshme, komisionet e titujve të pronësisë, pasuritë e paluajtshme, si dhe gjithë problematikën në lidhje me këtë çështje.

Qato ndër të tjerat shprehet: Partia Socialiste në çdo hap të rrugës së Programit për Çështjet e pronësisë do ta bëjë në transparencë të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me grupet e interesit ndaj i fton ata të jenë kontributorë dhe faktorë të rëndësishëm në këtë proces për ti dhënë zgjidhje kësaj problematike sa shqetësuese aq edhe madhore për integrimin e vendit.

Sipas Qatos grupi i punës për çështjet e pronës do të paraqesë një draft të programit duke dashur të tërheqë mendimin e grupeve të interesit, por edhe të individëve të cilët kanë interesa direkte për problemet e pronësisë. Programi i Partisë Socialiste Për një Rilindje Shqiptare ka zhvilluar deri tani 18 tryeza.

Vjola Cengu/IDEA/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›