E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, KE: Shqipëria mund të përfitojë vetëm nëse plotëson kushtet



Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, në vitin 2010 do t’i shtohen grupit të vendeve që do të lëvizin lirisht pa viza në vendet e Bashkimit Europian, por, në rast se të dyja këto shtete plotësojnë kushtet. Kështu ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Europian për Zgjerimin, Majkëll Leig, gjatë një fjalimi në Uashington, ku ka komentuar përparimet dhe sfidat e bllokut europian. Duke folur konkretisht për Shqipërinë, Leig u shpreh: “Mendoj se përsa i përket Shqipërisë, ka pasur përparim të madh në përmbushjen e kushteve, sidomos në lidhje me zgjedhjet, ku është bërë shumë punë për dhënien e kartave të reja të identitetit. Mendojmë se nëse do të vazhdohet të punohet për sigurinë e kufijve, atëherë ky vend mund të ecë përpara”. Majkëll Leig ka theksuar gjithashtu se një nga sfidat e Bashkimit Europian mbetet integrimi i Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, vendimin për liberalizimin e vizave për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, Leig e quajti një përparim të madh në integrimin e Ballkanit. Por, sipas tij, Ballkani ka ende sfida të mëdha. Ky rajon ende mban mbi shpinë barrën e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura mes shteteve, të krijuara që nga konfliktet në ish-Jugosllavi. Sipas tij, mjaft vështirësi dalin nga statusi i Kosovës dhe qëndrimet e kundërta në BE për këtë çështje. Ende 5 shtete nga 27 anëtarë të Bashkimit Europian, nuk e njohin Kosovën. Ai tha se ende nuk mund të flitet për futjen e Kosovës në planin e liberalizimit të vizave, ndërkohë, blloku prej 27 anëtarësh po harton një raport mbi alternativat e mundshme për integrimin e ardhshëm të Kosovës në BE. Një raport i Komisionit Europian për secilin vend të Ballkanit Perëndimor pritet të publikohet në muajin tetor.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›