Përplaset autobusi Athinë-Tiranë, vdes shoferi plagosen 10 pasagjerë
GREQI- Një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur ka qenë bilanci tragjik i një aksidenti të ndodhur në aksin rrugor Athinë-Kakavijë, në vendin e quajtur Terovë. Sipas policisë greke, autobusi i linjës Athinë-Tiranë, i kompanisë “Likometaj Travel”, u përplas me një kamion 20 kilometra në hyrje të Janinës. Sipas hetimeve paraprake, mendohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë humbja e kontrollit të mjetit nga ana e shoferit, si pasojë e lodhjes apo nga pagjumësia.
Policia deklaroi se autobusi, i markës “Benz” dhe me targë “AA115AJ”, goditi nga mbrapa kamionin duke lenë të vdekur në vend shoferin e dytë të autobusit, shtetasin Altin Paja, 37 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe duke plagosur disa të tjerë.
Për viktimën Paja ky ishte udhëtimi i dytë, pasi kishte pak ditë që kishte filluar punë në këtë firmë. Prej llamarinave të shkatërruara të autobusit u nxorën të plagosur Gentian Seferi, drejtuesi i autobusit, Mimoza Spaho dhe djali i saj Aldi Spaho, 16 vjeç.
Mjekët thanë se tre personat ndodhen në spital me fraktura, por për fat të mirë pa rrezik për jetën. Mjekët e spitalit të Janinës u dhanë ndihmën e parë edhe rreth 15 personave të tjerë, të cilët gradualisht janë larguar nga spitali pasi nuk kishin plagë serioze.
Autoritet konsullore shqiptare ndodhen në spitalin e Janinës dhe po plotësojnë procedurat e riatdhesimit të trupit të viktimës, si dhe të ndihmojnë pasagjerët e tjerë të autobusit të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Shqipërisë.
Dëshmia
Njëra nga të mbijetuarat e këtij aksidenti, Brunilda Salaj, ka pohuar disa nga detajet e aksidentit tragjik. “Autobusi me të cilin po udhëtoja është përplasur me një maune të parkuar. Nga përplasja na thanë që kishte vdekur shoferi zëvendësues, ndërsa shumë veta të tjerë ishin plagosur. Pas afro 40 minutash pas përplasjes me maunen në vendin e ngjarjes ka ardhur ndihma nga zjarrfikëset greke, si dhe shumë ambulanca”, ka pohuar ajo. Sipas Salajt, fillimisht kishin shkuar për të marrë ndihmën e parë në spital dhe kanë dashur të largoheshin, por aty u është kërkuar që të qëndrojnë në mënyrë që të bënin dhe deklaratat lidhur me ngjarjen. “Kemi ndenjur nga ora 12 e natës deri në ora 10 të ditës së djeshme, pasi policia nuk na linte pa dhënë dëshminë. Unë u largova, ndërsa të plagosurit e tjerë kanë vazhduar të qëndronin aty”, ka pohuar Salaj.
Shkaqet
Policia e Janinës deklaroi se po heton shkaqet e aksidentit. Ekspertë të saj do të kontrollojnë gjendjen teknike të autobusit të përplasur, pasi, sipas tyre, vendi i aksidentit konsiderohet si i vështirë, për shkak të kthesave të shumta që ka.
Aksidenti i së dielës nxjerr në pah problemet që kanë linjat ndërkombëtare të udhëtarëve, sidomos ato me Greqinë, pasi shumica e kompanive që operojnë në këtë treg kanë automjete të vjetra dhe tejet të amortizuara, për shkak të konkurrencës tepër të lartë në çmimin e biletës, i cili konsiderohet si me i ulëti në Europë, vetëm 25 cent për kilometër, ndërkohë që në Greqi operatorët vendës vlerësojnë çmimin në 1 euro për kilometër.
Ministria shqiptare e Transportit është munduar të liberalizojë tregun, por pa vendosur kushte dhe parametra teknikë që duhen plotësuar prej kompanive të transportit të udhëtarëve, përsa i përket vitit të prodhimit të autobusëve dhe kushtet teknike të tyre. Aksidenti i ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, ku një autobus i linjës Tiranë-Athinë doli nga rruga në zonën e Fratarit në Mallakastër solli vdekjen e 9 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Për këtë u arrestua shoferi grek i autobusit, për të cilin prokuroria kërkoi 18 vjet heqje lirie.