Shkojnë për të vjedhur kabullin e pompave, vrasin rojen
SHKODËR- Kanë shkuar për të vjedhur kabullin elektrik, që furnizon me energji pompat që përdoren për vaditje, por janë diktuar nga pronari të cilin e kanë vrarë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së dielës në fshatin Shtoj i Vjetër, të komunës Rrethina në Shkodër. Ridvan Begovi, 40 vjeç, banor i këtij fshati, ka mbetur i vrarë në arën e tij, ndërsa autorët akoma nuk janë identifikuar.
Vrasja
Mësohet se 40-vjeçari prej disa ditësh flinte në arë, tek mjeti i tij kamionçinë, ku kishte vendosur dhe dyshekun e rrobat e fjetjes, pasi ruante për të mos i vjedhur kabullin që e furnizonte me energji elektrike pompën e ujit, që përdorej për vaditje. Kjo pasi në këtë fshat, vjedhja e kabullit dhe pompave thithëse që vendosen në puse për të marrë ujë për vaditje ishte kthyer në një fenomen të shpeshtë. Sipas banorëve të Shtojit, shumë prej tyre e kalojnë natën në ara, duke ruajtur pronën nga vjedhësit. Sipas të dhënave të grumbulluara dhe dëshmive të marra, 40-vjeçari i paarmatosur ka qenë duke fjetur në karrocerinë e mjetit të tij dhe ka dëgjuar hapat që afroheshin për të vjedhur. Ai është ngritur dhe mendohet se i ka njohur vjedhësit dhe është konfliktuar me to, ndërsa prej tyre është qëlluar me armë dy herë. Ridvan Begovi ka marrë dy plumba, një në gjoks dhe një në krah, ndërsa autorët janë larguar me shpejtësi pa u identifikuar. Krismat janë dëgjuar nga të tjerë persona që kanë shkuar dhe e kanë gjetur të gjakosur 40-vjeçarin, i cili rrugës për në spitalin e Shkodrës ka vdekur pa mundur të përballojë plagët e marra.
Hetimi
Policia ka bërë veprimet në vendin e ngjarjes dhe ka kërkuar për gëzhoja që nuk i ka gjetur. Fillimisht është menduar për vrasje me armë të ftohtë, thikë, apo mjete të forta, por këqyrja e kufomës dhe dëshmitë e personave, që kanë pohuar se kanë dëgjuar të shtëna armësh, kanë vërtetuar se vrasja është bërë me armë zjarri. Kërkimet e policisë janë bërë duke përdorur mjetet e posaçme dhe dyshohet se autorët kanë qenë dy persona dhe mund të kenë qëlluar nga thesi që kanë pasur me vete, për të futur kabullin që do merrnin. Kjo, sipas policisë, nuk përjashton mundësinë që gëzhojat të kenë mbetur në thesin ku ka qenë arma që ka qëlluar 40-vjeçarin. Një tjetër pistë lidhur me mungesën e gëzhojave është dhe ajo e përdorimit nga autorët e armës pistoletë me dollap, që nuk e nxjerr gëzhojën jashtë. Sipas banorëve të fshatit, 40-vjeçari dhe familja e tij nuk kanë pasur asnjë hasmëri apo konflikt asnjëherë dhe janë njerëz të respektuar nga ato që i njohin. Ato shtojnë se vjedhjet në fshat dhe në zonën përreth janë shtuar së tepërmi dhe kohët e fundit objekt i grabitjeve kanë qenë kabllot elektrik1%, që furnizojnë pompat e ujit që përdoren për vaditje. Shumë prej tyre shprehen se duke qenë verë e kalojnë natën jashtë, duke ruajtur pronën nga grabitësit. Ky është rasti i dytë brenda një jave, që ka vrasje në Shkodër dhe në dy këto ngjarje mendohet se autorët kishin shkuar për të vjedhur dhe pasi janë diktuar kanë qëlluar me armë zjarri, duke shkaktuar viktima.