Betejë për Fierin në KQZ. Pranohet edhe ankimimi i PD-së
Ditën që KQZ merr në shqyrtim kërkesën e PS-së për Fierin dhe 9 kutitë e shumëdebatuara, këtij institucioni i është drejtuar edhe Partia Demokratike me një ankimim. Sipas kërkesës së lexuar në mbledhjen e pasdites, PD ankimon rezultatin në Fier dhe në Lezhë. Pas hedhjes në votë, KQZ ka miratuar të marrë shqyrtim këtë ankimim.
*****
Çështja më e nxehtë e rezultatit të zgjedhjeve, kutitë e Fierit diskutohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas ankimimit të PS për të numëruar votat.
Debate të ashpra priten mes anëtarëve të djathtë dhe të majtë në KQZ.
Në mënyrë unanime, ky institucion ka pranuar dje që të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të selisë rozë për të numëruar dhe vlerësuar të gjitha fletët e votimit të 9 qendrave të votimit, të cilat janë bllokuar prej ditësh në KQZ.
Në aktankesën e saj per Fierin, Partia Socialiste ka paraqitur 13 kërkesa, që kanë të bëjnë si me rrëzimin e vendimeve të ndërmjetme, që këto katër KZAZ kanë marrë për miratimin e tabelave përmbledhëse të rezultateve, ashtu edhe me kërkesat për hapjen e kutive të bllokuara dhe përfshirjen e tyre në rezultatin final të të gjithë qarkut.
Ndërkohë, sot ky institucion pritet të marrë në shqyrtim pretendimin e PS-së për të rivlerësuar ose jo, votat në 4 KZAZ-të e Qarkut të Beratit.