PS-PD pranë marrëveshjes për numërimin elektronik të votave
Reformimi i sistemit të numërimit të votave dhe administrimi zgjedhor janë dy prej çështjeve që janë diskutuar në tryezën e sotme për reformën zgjedhore, të thirrur nga OSBE. Të pranishëm në tryezë ishin përfaqësues të trupit diplomatik dhe krerë të politikës shqiptare. Përfshirja në Kodin Elektoral të teknologjive të reja në zgjedhje dhe konkretisht numërimi elektronik i votave si dhe pushteti që do të kenë partitë në administrimin e zgjedhjeve, janë dy prej çështjeve më thelbësore, objekt i komisionit të reformës zgjedhore. Në fazën aktuale të zhvillimit të punimeve të këtij komisioni po diskutohet për mundësinë e identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhje, një kërkese e hershme e opozitës për të mos lejuar votim të pandershëm si dhe numërimi elektronik i votave. Për të bërë të mundur arritjen e këtyre dy objektivave thelbësor të reformës zgjedhore, ekspertë të OSBE/ODIHR, të pranishëm në tryezën e djeshme kanë sjellë përvojat më të mira për kryerjen e këtyre proceseve, për të garantuar zgjedhje të lira të ndershme dhe të pakontestueshme nga palët.
Përvoja perëndimore e numërimit
Në tryezën e sotme ishin ftuar disa kompani ndërkombëtare, të cilat bënë të ditur para të pranishëmve mënyrën e funksionimit të numërimit elektronik të votave. Aty u theksua se teknologjia ofron mundësi të ndryshme të numërimit elektronik. Ekspertët evidentuan se një kompani britanike mund të nxjerrë një rezultat të besueshëm maksimumi brenda 8 orëve. Ndërsa një kompani amerikane, me makineritë e të cilës zhvillohen zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, ofron një rezultat brenda 2 orëve për shkak të proceseve të trefishta të makinerisë. Një tjetër propozim vjen nga Estonia, një nga vendet me teknologjinë më të zhvilluar elektorale. Praktika estoneze propozon votim me internet dhe numërim të menjëhershëm të votës. Komisioni nuk ka marrë ende një vendim se cili do të jetë vendimi për llojin e teknologjisë, por duket se do të ketë një vullnet pozitiv mes palëve për të përfshirë teknologjinë e numërimin të votave.
