Platforma, Malaj u përgjigjet skeptikëve në “Facebook”
Platforma për demokratizimin e partive politike, prezantuar pak ditë më parë nga deputeti dhe ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, ka ngjallur mjaft debate dhe diskutime në rangjet politike dhe rrjetet sociale. Në faqen personale të deputetit Malaj në “Facebook” ka patur mesazhe të shumta të simpatizantëve të Partisë Socialiste, por edhe atyre që nuk përqafojnë këtë alternativë politike. Secili prej tyre ka shprehur pikëpamjen e vet personale në lidhje me aksionin politik të Malajt, ndërsa ky i fundit ka preferuar t’u kthejë përgjigje duke shndërruar gjithçka në një bashkëbisedim. Një prej qytetarëve në bashkëbisedim i shkruan deputetit Malaj duke i shprehur kritika se “sado e pastër të jetë rakia, kur e hedh në enë të pistë shkon dëm, kështu që edhe niveli qytetar i bashkëbisedimit në këtë situatë të pistë partiake shkon dëm”. Në përgjigjen e tij, Malaj thotë se respekton çdo vërejtje dhe kritikë, por, sipas tij, universitetet në asnjë rast nuk janë një enë e keqe për të diskutuar drejtpërdrejtë me studentët. “Në të gjitha vendet, ato janë mundësia më e mirë për të diskutuar për sfidat e vendit tënd, jo për të krijuar grindje partiake apo debate shterpe. Në UET ka shumë profesorë të nderuar që kanë punuar me socialistët, ka shumë studentë që janë anëtarë apo pëlqejnë alternativën e majtë. Mos i paragjykoni universitetet. Edhe në botë ato kanë preferenca politike të ndryshme, por në to shkojnë dhe flasin me studentët, politikanët e të gjitha partive politike. Para pak ditësh në UET erdhi dhe foli politikani amerikan Hauard Dean, ish-lideri i demokratëve dhe kandidat për president, aktualisht profesor në universitetin e Yale, që është i afërt me republikanët, ashtu sikurse mbi 65% e studentëve në universitetin e Harvardit kanë patur afrim me këndvështrimet politike të demokratëve”, shkruan Malaj.