PS: PD të tërhiqet nga drafti për "përgjimet"
Drafti krijon rrezik për të vrojtuar dhe ndjekur nga afër veprimtarinë e bizneseve në vend
TIRANË- Tregues të dështimit të qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal e ka quajtur Partia Socialiste nismën e mazhorancës, për t'i dhënë ministrit të Financave kompetencën për të kërkuar përgjimin e punonjësve të administratës tatimore dhe asaj doganore.
Një ditë pasi ky draft kaloi në Komisionin e Ligjeve, ka ardhur reagimi i socialistëve, të cilët edhe njëherë janë shprehur kundra zgjerimit të institucioneve, që mund të kërkojnë të përgjojnë mjetet e telekomunikacionit, siç janë telefonat celularë, ata fiks apo edhe postat elektronike. "Shtimi i "çimkave" dhe i përdoruesve të tyre, argumentohet me nevojën e luftës kundër korrupsionin në shtëpinë e çdo ministrie dhe në atë të financave.
Në fakt, ndryshimet, që propozohen të bëhen në ligj, duke i dhënë ndër të tjera edhe Ministrisë së Financave të drejtën e interceptimit të bisedave të përditshme të punonjësve të vet, tregojnë qartë se lufta kundër korrupsionit nuk ka qenë e suksesshme",- u shpreh dje deputetja socialiste Vasilika Hysi në një dalje të posaçme për mediat.
Por, nuk është ky argumenti i vetëm për të cilin socialistët kundërshtojnë këto ndryshime në ligjin "Për përgjimet e telekomunikacioneve", pasi sipas selisë rozë, vetë ky lloj përgjimi bie ndesh me ligjet e vendit, përfshi këtu edhe Kushtetutën. Madje, sipas Partisë Socialiste, ky ndryshim që kërkohet t'i bëhet këtij ligji krijon një rrezik potencial për të vrojtuar dhe për të ndjekur nga afër veprimtarinë e bizneseve në vend.
"Kjo luftë kërkohet të bëhet duke anashkaluar organet kushtetuese dhe të specializuara në fushën e përgjimeve të telekomunikacioneve, duke shkelur rëndë liritë dhe të drejtat e çdo punonjësi të administratës tatimore dhe doganore, por mbi të gjitha të bizneseve. Këto propozime janë një kërcënim serioz për bizneset shqiptare dhe një mundësi tjetër për goditje selektive të bizneseve.
Bëhet akoma më e dyshimtë kjo iniciativë ligjore, kur në krye të departamentit të hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është ish - gjenerali i Berishës i vitit '97", - tha Vasilika Hysi, duke i bërë thirrje njëkohësisht qeverisë, që të tërhiqet nga nisma të tilla, që mund të cenojnë liritë e individit.
Projektligji që po diskutohet në Kuvend, parashikon t'i japë të drejtën për të kërkuar përgjimin e mjeteve të telekomunikacioneve edhe Ministrisë së Financave, e cila parashikon që ta përdorë atë kundrejt punonjësve të saj në tatime dhe dogana.