Britania: Berisha të udhëheqë dialogun me opozitën
Britania kërkon zbatimin e kushteve për përmbushjen e standardeve. Ndërsa Lohan thekson se llogaria ndaj qeverisë do të rritet
TIRANË- Qeveria shqiptare duhet të udhëheqë përpjekjet për përfshirjen e të gjitha palëve në dialogun politik me qëllim nxitjen e reformave në vend. Ka qenë ky mesazhi që Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Gordon Braun, i ka përcjellë kryeministrit Sali Berisha, përmes Ambasadores britanike në Tiranë, Fiona McIlëham.
Kjo e fundit ka takuar dje Kryeministrin Sali Berisha dhe anëtarët e Qeverisë së re për të ritheksuar mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe programin e reformave, që do sigurojnë të ardhmen evropiane.
Në mesazhin e urimit për Kryeministrin Sali Berisha, Kryeministri Gordon Braun nënvizonte se, "Ky është një moment jetik për Shqipërinë, si shteti më i ri anëtar i NATO-s dhe kërkues për statusin e vendit kandidat në BE.
Do jetë me rëndësi që qeveria juaj e re të demonstrojë menjëherë angazhimin për programin gjithë-përfshirës të Shqipërisë dhe shpresoj se qeveria juaj do kryesojë përpjekjet për përfshirjen e të gjitha palëve dhe partive politike në dialogun politik dhe veprimet për stimulimin e reformave".
Kryeministri Gordon Braun thekson gjithashtu se Shqipëria duhet të përmbushë disa kushte me qëllim përmbushjen e standardeve evropiane."Reforma e gjyqësorit dhe progresi i qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit janë tanimë përparësi urgjente nëse Shqipëria kërkon të përmbushë standardet evropiane.
Shpresoj të kemi progres real në të dy fushat",- thuhet ne mesazhin e urimit. Ministrat britanikë kanë nënvizuar gjithashtu bashkëpunimin e fortë ekzistues në luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën e gjyqësorit, si fusha ku ata shpresojnë të shohin vëmendje të shtuar.
Ndërsa në mesazhin e tij drejtuar Ministrit të Jashtëm Ilir Meta, Sekretari i Jashtëm David Miliband nënvizoi "rolin ndihmues dhe konstruktiv të Shqipërisë në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në Kosovë" dhe shpresën e tij se kjo gjë do vazhdojë.
Ndërsa në njoftimin për shtyp të kryeministrisë njoftohet shkurt mbi përmbajtjen e urimit, duke publikuar vetëm atë pjesë të mesazhit, ku theksohet mbështetja e fortë e Mbretërisë së Bashkuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë.
"Kryeministri Berisha prit sot në një takim ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, zonjën Fiona McIlëham, e cila i shprehu Kryeministrit Berisha urimet e saj më të përzemërta dhe të sinqerta për rizgjedhjen e tij në detyrën e Kryeministrit.
Ambasadorja britanike McIlëham i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për reformat integruese dhe perspektivën europiane të Shqipërisë",- thuhet në njoftimin për shtyp të kryeministrisë.
Lohan
Një qëndrim rreth detyrave, që e presin qeverinë shqiptare me qellim integrimin e Shqipërisë në BE, ka mbajtur dje edhe kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan.
Ai deklaroi dje se, këtej e tutje kërkesa e llogarisë për politikën do të jetë më e madhe. "Doja të theksoja që duke ecur përpara drejt integrimit, do të rriten dhe sfidat dhe kërkesat për klasën politike, liderët, administratën, mediat shqiptare dhe të gjitha standardet e tjera",- tha ai.
Lohan shpjegoi procedurën, që do të ndiqet për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. "Pres që diku në vjeshtë këshilli i ministrave të BE-së t'i kërkojë Komisionit Evropian lejen për të hartuar një opinion mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim.
Ne do i paraqesim qeverisë shqiptare një pyetësor që mbulon në detaje të gjitha aspektet e standardeve evropiane. Partneret tanë shqiptarë do të na japin përgjigje për më shumë se dy mijë pyetje brenda një kohe relativisht të shkurtër. Përgjigjet do të analizohen, mund të bëhen pyetje të tjera, dhe në fund Komisioni Europian do të paraqesë opinionin e tij përpara shteteve anëtare, së bashku me rekomandimet nëse duhet apo jo ti jepet statusi Shqipërisë",- tha Lohan.