E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekreti, më 15 Nëntor zgjedhje në 5 njësi vendore

Presidenti i Republikës dekreton datën e zgjedhjeve në ato njësi që nuk ka drejtues.


TIRANË- Banorët e pesë njësive vendore, të cilat kanë mbetur pa drejtues për shkak të zgjedhjes së tyre deputetë, do të votojnë sërish më datën 15 nëntor. Presidenti i Republikës ka shpallur dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme për zgjedhjen e titullarit në dy bashki, dy komuna dhe një njësi bashkiake.


"Në mbështetje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe Kodit Zgjedhor, dekretoj zgjedhjet për kryetar në njësinë bashkiake nr. 10, Tiranë, për kryetar bashkie në Bashkinë Klos, për kryetar bashkie në Bashkinë Fushë - Arrëz, për kryetar komune në Komunën Fierzë dhe për kryetar komune në Komunën Otllak, të cilat do të zhvillohen ditën e diel, datë 15 nëntor 2009", - thuhet në dekretin e kreut të shtetit.


Zgjedhjet në këto njësi u bënë të domosdoshme, për shkak se drejtuesit e tyre të zgjedhur në zgjedhjet lokale të vitit 2007 konkurruan dhe fituan mandatin e deputetit më 28 qershor, duke u bërë pjesë e legjislativit. Kështu, zgjedhjet do të zhvillohen në njësinë bashkiake numër 10 në Tiranë, ku mbeti vakant vendi pas zgjedhjes së Gerti Bogdanit si deputet i PD-së në Kuvend.


Përveç Minibashkisë numër 10, në proces të pjesshëm zgjedhor do të përfshihen edhe katër njësi të tjera vendore dhe më konkretisht: dy bashki dhe dy komuna. Bëhet fjalë për Bashkinë e Fushë-Arrësit, ku kryetari Ndue Paluca, është zgjedhur deputet në Qarkun e Shkodrës, për të vazhduar me Bashkinë Klos, ku kryetari Bedri Hoxha ka marrë po ashtu, mandatin e deputetit. Zgjedhjet e pjesshme lokale do të zhvillohen edhe në komunën Fierzë, ku Besnik Dushaj


i PD-së është zgjedhur po ashtu deputet, si dhe në Komunën e Otllakut, në rrethin e Beratit, ku Lefter Maliqi, ish-kryetari i kësaj njësie, u rendit në listën fituese të PD-së në zgjedhjet parlamentare.


Zgjedhjet e pjesshme në këto pesë njësi vendore do të zhvillohen jashtë afateve kushtetuese, pasi neni 115 i dokumentit themeltar të shtetit përcakton se zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›