Dalin nga greva e urisë studentët e juridikut
VLORË - Pas 5 ditësh ngujim, 10 studentët e juridikut të Universitetit të Vlorës kanë lënë grevën e urisë. Mbërritja e një ekipi të Ministrisë së Arsimit i ka dhënë fund kështu protestës së studentëve, të cilët kanë rënë dakord për diplomat. "Ka qenë një natë e gjatë dhe e lodhshme", u shpreh njëri nga organizatorët e protestës menjëherë pas daljes së studentëve. Ai deklaroi se kishte mbërritur një ekip nga Ministria e Arsimit, mes të cilëve edhe shefja e kabinetit të ministrit, të cilët u kanë ofruar një diplomë të nivelit të dytë së cilës i bashkëngjitet edhe një listë notash. Kjo diplomë do të jepet sipas sistemit të vjetër, për të vlerësuar kështu studimet 4-vjeçari të studentëve të juridikut që përfunduan këtë vit shkollimin e tyre të universitar. Dhënia e kësaj diplome u arrit pas një debati të fortë mes Universitetit të Vlorës dhe Ministrisë së Arsimit. Nga ana e universitetit ishte i pranishëm zëvendësrektori, si dhe anëtarë të senatit që negociuan për daljen nga greva e urisë e 10 studentëve. Këta të fundit ishin në ditën e tyre të pestë të grevës, ndërsa tre prej tyre kishin përfunduar në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, dhe më pasi ishin rikthyer sërish grevës. Gjithçka nisi në momentin kur studentët që mbaruan vitin e katërt të shkollimit në degën e juridikut morën një certifikatë si "njohës ligjesh", duke u paralelizuar me sistemin e ri 3-vjeçar. Studentët kërkuan vlerësimin me diplomën "jurist", siç u veprua edhe në universitetet e tjera.
Rektori i Vlorës- Qeverisë: Mos ndërhy në institucionet akademike
VLORË- Ndërkohë që studentët e drejtësisë të Universitetit të Vlorës kanë hyrë në ditën e pestë të grevë së urisë, rektori Tanush Shaska ka reaguar sërish duke i kërkuar qeverisë të mos ndërhyjë në institucionet akademike. Reagimi i tij është publikuar sot në faqen zyrtare të universitetit dhe sipas Shaskës greva e studentëve është e nxitur politikisht.
"Gjate javeve te shkuara nje sere institucionesh akademike, perfaqesues te Keshillit te Europes, ambasadore, akademike, shoqate profesionale jashte Shqiperise kane shprehur hapur indinjaten e perzierjes se politikes shqiptare ne punet akademike. Kjo duke marre shkak nga pranimet ne universitet dhe problemi i mesatares. Qeverise do t'i duhet shume pune qe te rregulloje kete lemsh dhe te binde Europen se nuk perzihet ne institucionet akademike dhe se ketu institucionet respektohen ashtu si ne cdo vend tjeter te botes"- thotë Shaska në reagimin e tij.
Duket se edhe pas shkresës ultimative të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që i jep të drejtë studentëve të marrin diplomat, rektori nuk lëshon pe.
Sipas Shaskës, Ministri i Arsimit duhet të sqarojë se cili është roli i PD-se ne urdhërat dhe vendimet qe ai u dërgon universiteteve.
"Pergjithmone mbi diplomat e juridikut te ketij vitit do te ekzistoje shija e dyshimit ne se keto diploma u dhane nga presioni politik apo thjesht nga merita akademike. Kjo nuk eshte ne interesin tuaj!
Personalisht, une kam punuar dhe do te vazhdoj te punoj qe t'a mbaj Universitetin sa me larg politikes. Vetem atehere universiteti do te kete vlera akademike. Do t'i keshilloja edhe politikes te rrinte sa me larg universitetit"-përfundon Shaska.
Greva e studentëve, ministria ultimatum universitetit
TIRANË - Ministria e Arsimit i ka kërkuar sot Universitetit të Vlorës të zbatojë ligjin dhe të lëshojë urgjent diplomat për studentët e Juridikut. Shefja e kabinetit, Edlira Late, u shpreh se "Ministria e Arsimit i ka dërguar sot një shkresë zyrtare Rektorit të Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës në lidhje me formën e diplomave të studimeve 4-vjeçare".
Sipas saj, studimet 4-vjeçare të përfunduara në vitin akademik 2008-2009 janë programe të papërshtatura me standardet e Bolonjës dhe diplomat e tyre njihen si diploma të sistemit të vjetër, pra si diploma universitare 4-vjeçare.
Në bazë të nenit 89, të ligjit të Ligjit te Arsimit te Larte, këto diploma janë ekuivalente me "Diplomat të Integruara të Nivelit të Dytë".
"Universitetit "Ismail Qemali" i Vlorës duhet të pajisë sa më shpejt studentët me diploma në përputhje me përcaktimet e mësipërme të ligjit të Arsimit të Lartë", deklaron shefja e kabinetit të MASH-it.
ora: 11:30
Greva e studentëve në Vlorë, dy prej tyre përfundojnë në spital
VLORË - Në ditën e katërt të grevës së urisë, shëndeti i studentëve të Juridikut të Vlorës është përkeqësuar. DY prej studentëve grevistë janë transportuar sot paradite në urgjencën e spitalin, pasi shfaqën probleme me tensionin dhe anomali të tjera për shkak të mosushqyerjes.
Të 11 studentët e degës së Juridikut prej 4 ditësh qëndrojnë në ambientet e fakultetit dhe po protestojnë ndaj vendimit të rektoratit që vendosi që studentët nën notën 6 të mos pajisen me diploma me titullin "Jurist", por me një diplomë të thjeshtë me titull 'Njohës Ligjesh'.
Studentët thonë se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Arsimit për rastin e tyre. Ata shprehen se greva do të vazhdojë pa afat.