E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, qeveria hap ambasada në Europë e Azi

Të gjitha shpenzimet për hapjen e 6 ambasadave në vendet e huaja do të mbulohen me paratë e buxhetit të shtetit


TIRANË - Shqipëria do të hapë një sërë përfaqësish diplomatike në disa shtete të botës, kryesisht në Europë dhe kontinentin aziatik. Të gjitha shpenzimet që do të kërkojë e gjithë infrastruktura për funksionimin e plotë të këtyre përfaqësive diplomatike, do të mbulohen nga paratë e buxhetit të shtetit, të vitit 2010-të.


Fondi që do të mbulojë ngritjen e këtyre përfaqësive diplomatike do t'i jepet Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila më pas do të kryejë edhe shpenzimet e nevojshme që do të kërkojë infrastruktura e këtyre përfaqësive.


Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave u vendos hapja e këtyre ambasadave, duke filluar që nga Republika e Sllovakisë e deri në shtetin e Katarit, në Azi. Një përfaqësi diplomatike e vendit tonë do të ngrihet edhe në kryeqytetin e Mbretërisë së Belgjikës, në Bruksel.


Ngritja e një përfaqësie të tillë diplomatike, mendohet të jetë mjaft e nevojshme në marrëdhëniet me vendin tonë, pasi Brukseli quhet ndryshe edhe kryeqyteti i Bashkimit Europian, ku pjesa më e madhe e institucioneve të këtij organizmi e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë kryeqytet. Në ngritjen e përfaqësive diplomatike shqiptare nuk bën përjashtim as Ballkani, ku qeveria shqiptare do të përfaqësohet nga trupi diplomatik që do të vendoset në Bosnje - Hercegovinë.


Por përveç hapësirës europiane, përfaqësia diplomatike shqiptare do të shtrihet edhe në kontinentin aziatik, duke filluar që nga Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, për të vijuar më pas me shtetin e Kuvajtit, dhe të Katarit. Të gjitha vendet e përmendura më lart nuk kanë përfaqësi diplomatike në vendin tonë, përveç Republikës së Sllovakisë, e cila përuroi pak javë më parë, hapjen e ambasadës së saj në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›