Poni: Rama, interesa korruptive në Tiranë
Kryetari i këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni akuzoi dje kryebashkiakun Rama si fajtor të përplasjes fizike në qendër te Tiranës. “E kanë kthyer atë në shërbim të interesave të grupeve të ndryshme të ndërtimit që nuk ndalen para asgjëje, as nga fakti që nuk e kanë pronësinë mbi tokën. Toka është pronë publike, pronë shtetërore, as nga fakti që në mënyrë të paturpshme aty thuhet se ka leje ndërtimi kur aty asnjëherë nuk ka pasur një të tillë”, tha Poni. Duke komentuar akuzat e bashkisë për cenim të pronës private, këshilltari demokrat u shpreh se çështja është e lidhur me interesat personale të kryebashkiakut. “Asgjë nuk mund t’i kthejë ekuilibrin mendor Ramës. Asgjë s’mund ta shpëtojë atë nga përgjegjësia shumë e madhe e thyerjes në mënyrë të përsëritur, abuzive dhe kriminale të ligjit; përdorimit dhe kthimit të gjithë administratës së bashkisë së Tiranës në interes dhe përdorim të këtyre grupeve të interesit. Policia Bashkiake e Tiranës dhe Inspektorati Ndërtimor i saj janë as më shumë dhe as më pak veçse vegla qorre dhe të bindura të interesave korruptive apo abuzive dhe kriminale”, tha Poni.