Kodheli: Të burgosurit po votojnë jashtë qelive
Partia Socialiste ka denoncuar sot se të dënuar në disa burgje të vendit janë shoqëruar nga policia e burgjeve për të votuar jashtë qelive. Në një konferencë për shtyp deputetja e PS-së Mimi Kodheli ka deklaruar se të burgosurit janë shoqëruar për të votuar nga një furgon i policisë së burgjeve, veprim sipas saj në shkelje të hapur me ligjin.
Sipas saj, këto veprime të policisë së Burgjeve janë krejtësisht të jashtëligjshme.
“Ne disponojmë të dhëna të plota për emrat e personave, punonjës së Policisë së Burgjeve që janë përfshirë në këtë operacion. Të gjithë këta persona do të denoncohen në përputhje me ligjet në fuqi” theksoi Kodheli.
Kodheli tha se kjo situatë është krejtësisht e patolerueshme pasi bëhet fjalë për një implikim të drejtpërdrejtë të strukturave të shtetit, më konkretisht të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit në cënimin e procesit zgjedhor.
Ajo vuri në dukje se këtu nuk bëhet fjalë për individë të veçuar por për të burgosur që shoqërohen nga policia për të votuar.
“Ne ju bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të shkojnë në numra sa më të mëdhenj për të votuar. Ne ju bëjmë thirrje qytetarëve që të shkojnë për të votuar sa më shpejt dhe mos ta lënë votimin për limitet e fundit kohore”, tha Kodheli.