PS: Presidenti Nishani e ktheu SHISH-in në vegël qorre të Berishës
Tiranë- Partia Socialiste ka dënuar sërish sot me tone të ashpra shkarkimin e ish-kreut të SHISH-it, Bahri Shaqirit duke e cilësuar këtë një veprim që do ta shndërrojë shërbimin sekret në vegël të kryeministrit Berisha, njëlloj si në vitin e errët 1997.
Deputetja socialiste, Ermonela Felaj nga selia rozë tha se me këtë veprim Zoti Nishani pa asnjë mëdyshje plotësoi ëndrrën e Zotit Berisha.
‘Si në vitin 1997, kur Gazidedë dhunoi, plagosi dhe vrau me qindra shqiptarë të pafajshëm. Duke e rivendosur SHISH-in në duart e Berishës me emërimin e Visho Ajazit, punonjësin e Gazidedës. Këtë e bëri pa mëdyshje edhe pse e di pse Saliu e do SHISH-in nën kontroll. Sali Berisha dhe shërbëtori i tij Bujar Nishani e kthyen SHISH në një vegël qorre të pushtetit”,-tha Felaj.
Deputetja Felaj në emër të PS-së, shtoi se kryeministri Berisha dhe presidenti Nishani nuk pyesin për askënd duke mos dënjuar siç tha Zonja Felaj të këshillohen as me aleatin tonë më të madh SHBA-të. Duke e cilësuar situatën të patolerueshme e duke i bërë thirrje shqiptarëve për t’iu bashkuar opozitës ku drejtësia të jetë e pavaruar dhe jo e gjunjëzuar para pushtetit.
Ditën e djeshme presidenti Bujar Nishani firmosi propozimin e kryeministrit Berisha për të shkarkuar Bahri Shaqirin dhe në vend të tij u emërua Visho Ajazi Lika.
Dorina Bilbili/IDEA/