Vrasja e gruas, policia: 20 persona nën përgjim, kontroll serviseve
Tiranë- Dy ditë pas vrasjes së një 37-vjeçareje tek ish-Fusha e Aviacionit në Tiranë, gjatë një tentative grabitjeje, policia ka bërë të ditur se ka ngushtuar rrethin e të dyshuarve të këtij krimi të rëndë.
Sakaq blutë e policisë së kryeqytetit dhe ekspertë të krimeve të renda kanë bërë me dije se kanë vënë nën përgjim mbi 20 numra telefoni dhe po kryejnë kontrolle në 10 servise në Kamëz, pasi dyshohet se autorët mund ta kenë shitur motorçikletën me të cilën u larguan pas krimit.
Policia ka bërë të ditur se personat e shoqëruar janë kontigjent me precedentë penal ose janë lënë të lirë nga gjykata. Sakaq mësohet se ekspertët e krimeve kanë ndërtuar identikitin e autorit të dyshuar falë dëshmive të personave të pranishëm në vendin ku ndodhi ngjarja dhe gjurmëve të krimit.
Sipas tyre i dyshuari është i moshës 16-20 vjeç, me tipare të errëta, trup mesatar. Kështu mësohet se ngushtimi i rrethit të të dyshuarve po e çon policinë më pranë vrasësit teksa vetëm gjatë natës së krimir mbi 200 të rinj janë shoqëruar nëpër komisariate.
Një grua 37- vjeçare u vra më 7 Gusht dhe motra e saj u plagos rëndë me thika, ndërsa u sulmuan nga dy adoleshentë, në një rrugë në zonën e ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë, një zonë informale me banorë të ardhur kryesisht nga Veriu i Shqipërisë. Ndërkohë policia ka njoftuar se vijon të jetë në dispozicion shuma 10 milion lekë të vjetra për atë që do të japë informacion për vendndodhjen e adoleshentëve kriminelë.
Fatbardha Tafa dhe motra e saj Lumturie Gjanaj po ecnin në këmbë së bashku me fëmijët e tyre të mitur, në një rrugicë të sapondërtuar që lidh unazën e madhe me Fushën e Aviacionit kur janë sulmuar nga dy adoleshentë me një motocikletë, të cilët kanë pasur si synim grabitjen e varëseve të qafës.
/IDEA/