E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Probleme me bojën, karta false dhe votim të burgosurish

“Këta dy persona janë paraqitur si vëllezër, pjesëtarë të familjes Lloçi, por komisionerët e PS kanë zbuluar menjëherë se kartat e tyre të identitetit ishin të falsifikuara”

Problemet me fshirjen e bojës matrikuluese, kartat e falsifikuara dhe votimi i të burgosurve nën shoqërimin e togave të policisë në disa minibashki, ishin disa prej shqetësimeve kryesore të artikuluara nga Partia Socialiste gjatë procesit të votimit. Në orët e para të mëngjesit, socialistët denoncuan ato çka i cilësuan raportime shqetësuese nga disa qendra votimi, në lidhje me cilësinë e bojës matrikuluese që u përdor për të identifikuar qytetarët që ndërkohë kishin votuar. “Na rezulton se kjo bojë është e një cilësie aq të dobët, sa mund të fshihet thjesht me ujë. Ky është një problem që Partia Socialiste e ka ngritur me forcë gjatë këtyre ditëve dhe thjesht një element më shumë që i shtohet problemeve me listat e zgjedhësve, kartat e identitetit të falsifikuara dhe dublimeve, aq më tepër kur KQZ ka deklaruar se ka bërë të gjitha testet dhe ka garantuar cilësinë e bojës”, u shpreh deputetja Kodheli. Sidoqoftë, vijoi ajo, duam të garantojmë qytetarët se ne kemi marrë të gjitha masat për të parandaluar abuzimet e mundshme që mund të rrjedhin nga ky fakt. Kodheli e cilësoi të papranueshme, që përfaqësues të Partisë Demokratike të jenë të pranishëm në qendrat e votimit, siç ka ndodhur, sipas saj, në qendrën e votimit në shkollën “Sabaudin Gabrani” në njësinë numër 7. Një tjetër denoncim i socialistëve ishte fakti se komisionerët e kësaj partie kishin kapur dy persona, të cilët kanë tentuar të votojnë me karta identiteti false në qendrën e votimit 1718, që i përket minibashkinë nr.2. “Këta dy persona janë paraqitur si vëllezër, pjesëtarë të familjes Lloçi, por komisionerët e Partisë Socialiste kanë zbuluar menjëherë se kartat e tyre të identitetit ishin të falsifikuara. Për këtë rast është bërë edhe kallëzimi penal ndaj dy personave të mësipërm”, nënvizoi Kodheli. Ajo kujtoi se ligji shqiptar njeh dënime shumë të rënda për përpjekje të kësaj natyre, me plot 5 vjet burg dhe i garantojmë gjithkujt që provon të votojë me identitet të rremë se, Partia Socialiste është e vendosur që ata të vuajnë ndëshkimin që parashikon ligji. Kodheli kërkoi edhe nga policia ndalimin e personit që dhunoi gazetarin e “Top Channel”-it dhe paralajmëroi çdo individ që ka prirjen të shkelë ligjin, se nuk do të ketë harresë e as tolerancë për këdo që cenon sadopak këto zgjedhje. Në orët e pasdites, socialistët denoncuan se në qendrën e votimit 1770 në shkollën “Xhezmi Delli” kanë votuar të burgosur, të cilët janë shoqëruar aty me një furgon të policisë së burgjeve. Deputetja Kodheli sqaroi se furgoni i policisë së burgjeve, që në shkelje të hapur të ligjit ka shoqëruar të burgosurit, për të votuar në këtë qendër votimi, ka pasur targën P19 N. “Kemi po ashtu informacione se, votimi i të burgosurve ka ndodhur edhe në qendra të tjera votimi dhe këto raste po dokumentohen. Këto veprime të Policisë së Burgjeve janë krejtësisht të jashtëligjshme. Ne disponojmë të dhëna të plota për emrat e personave, punonjës së Policisë së Burgjeve që janë përfshirë në këtë operacion. Të gjithë këta persona do të denoncohen në përputhje me ligjet në fuqi”, premtoi Kodheli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›