PS: Prokuroria të nisë hetimet ndaj Dritan Priftit
Sulmi i Partisë Socialiste ndaj qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha është përqendruar te përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. E orientuar si një betejë e mirëfilltë që nuk e fsheh konfliktin e vjetër brenda së majtës, angazhimi politik i selisë rozë është koordinuar dje me Bashkinë e Tiranës, që drejtohet nga Edi Rama, e cila ka bërë të njohur se do të padisë penalisht ministrin në fjalë. “Listës së padive të bëra në adresë të përfaqësuesve të mazhorancës do t'i shtohet dhe ajo e ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Të hënën do të nisin procedurat për padinë ndaj ministrit të Ekonomisë... Politika e baltës nuk mund të sundojë mbi ligjin”, tha zëdhënësi i bashkisë, Florion Serjani. Ai ka shtuar se Prifti i shtohet listës së të paditurve për shpifje, që fillojnë nga Kryeministri Sali Berisha, për të vijuar me deputetë të ndryshëm si Aldo Bumçi, Lajla Përnaska, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone e deri te zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Por një hetim e ka kërkuar dje edhe vetë selia rozë, e cila përmes deputetes Olta Xhaçka, ka apeluar ndaj Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë nga puna për zbardhjen e së vërtetës që qëndron pas deklaratës së pasurisë së Priftit. Me këtë rast nuk ka munguar as interpretimi politik i selisë rozë, e cila ka nisur një përpjekje për të çmontuar idenë e përgjithshme rreth koalicionit qeverisës PD-LSI. “Tanimë, i madh dhe i vogël në Shqipëri e ka marrë vesh se qiraja e mandatit të artë që shiti Dritan Prifti më 28 qershor, vlen së paku 1.8 milionë euro në vit. Kjo është logjika mbi të cilën është ndërtuar koalicioni qeverisës Berisha– Meta: në këmbim të mandateve të tyre, ministrave të LSI-së, iu është lënë dorë e lirë të shtojnë në mënyrë marramendëse pasurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre me gjithfarë aferash korruptive... është e pafalshme për institucionet e drejtësisë, e veçanërisht për Prokurorinë e Përgjithshme të mos nisë hetimet për këtë aferë të pastër korruptive. Prandaj i bëjmë thirrje Kryeprokurores që ta thyejë heshtjen e saj dhe të fillojë menjëherë zbardhjen e kësaj çështjeje”, tha Xhaçka. Sulmi i ndërtuar mbi akuzat politike të artikuluara në Parlament po kthehet në një angazhim politik të selisë rozë, që synon të gozhdojë qeverinë me kartën e korrupsionit, tashmë të “vetëdeklaruar”. Politikisht, aksioni i PS-së sjell në vëmendje një paradoks, që zbulon qëllime të pastra politike dhe pse jo elektorale, përkundrejt kundërshtarit kryesor politik, Sali Berishës, PS nuk po heziton të godasë publikisht edhe LSI, që prej shumëkujt shihet në perspektivë si kartë manovrimi, në një ballafaqim që mund të riciklojë rezultate të ngushta. Dhe si luftë brenda së majtës është përcjellë edhe nga LSI, sulmi i socialistëve, apo më saktë i kreut të tyre, Edi Rama. “Sulmi ndaj ministrave të LSI-së nuk mund të fshehë dështimin e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste, nuk mund të fshehë abuzimin e Edi Ramës me Partinë Socialiste, abuzimet e Edi Ramës me qeverisjen e bashkisë dhe paaftësinë për të miratuar buxhetin e bashkisë dhe për ta përfshirë kryeqytetin në projektet e mëdha të zhvillimit”, deklaroi dje Ardit çela, sekretar për marrëdhëniet me publikun i LSI-së.
#