Katër orët e emergjencës në Qendrën e Traumës

Tragjedia që ndodhi në Gjegjan ngriti në këmbë të gjitha strukturat shtetërore. Brenda 20 minutave mjekët dhe infermierët e Spitalit Ushtarak u vunë në gatishmëri për të përballuar fluksin e pacientëve të aksidentuar rëndë në këtë ngjarje. Madje po vinin njëri pas tjetrit edhe mjekë e infermierë që kishin ditën e pushimit, pasi situata e krijuar kërkonte edhe më shumë njerëz të specializuar për t’u shërbyer të ardhurve. Madje edhe policia ishte vendosur me shërbimet e saj për të siguruar mbarëvajtjen e punës së mjekëve dhe infermierëve. Ata u vendosën kordon rrethor me diametër rreth 50 metra, brenda të cilit nuk mund të hynte askush veç bluzave të bardha.
Kishte kaluar vetëm një orë nga koha kur u njoftua për aksidentin dhe në Qendrën Kombëtare të Traumës mbërritën edhe familjarë dhe të afërm të personave që kishin udhëtuar me autobus nga Fushë-Arësi në Durrës. Disa prej tyre, edhe pse nuk kishin të dhëna të sakta për atë që kishte ndodhur, përloteshin sa herë që kujtonin të afërmit pasagjerë të autobusit. Një 19-vjeçar, Val e thoshin ata që e shoqëronin, tha se kishte ardhur nga Durrësi, pasi priste të vinin disa prej kushërinjve të tij të aksidentuar. Ai tregoi se një nga kushërinjtë që ndodhej në autobus, edhe pse i plagosur, kishte mundur të nxirrte telefonin dhe madje të fliste duke i thënë se kishin bërë aksident dhe ishte dëmtuar mjaft në kokë dhe në brinjë. I riu përlotej sa herë që përmendte një tjetër kushëri, që siç kishte mësuar, nuk ia kishte dalë të fitonte betejën me jetën. Situata më e rëndë ishte ajo që tregonte një tjetër person, i cili duke iu shpjeguar të afërmve të tij në telefon atë që kishte ndodhur, heshte sa herë që ata e pyesnin konkretisht. Ai nën zë iu tha se tre nga katër pjesëtarët e një familjeje kishin humbur jetën.
Pas këtyre bisedave të trishtuara u dëgjuan zhurma të forta, të cilat s’ishin asgjë tjetër veç helikopterëve që kishin shkuar të transportonin drejt Tiranës të aksidentuarit. Më 18.15 mbërrin në Spitalin Ushtarak të Tiranës helikopteri i parë, me ngjyrë të kuqe. Infermierët nxituan me barela drejt tij dhe prej andej një burrë rreth të 45-ave vrapoi me një fëmijë 3 vjeç në duar drejt hyrjes së urgjencës, ndërsa të tjerët nxorën prej aty një tjetër të plagosur. Një pas një helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, sollën në Spitalin Ushtarak të plagosur, pjesa më e madhe e të cilëve fëmijë. Plot gjashtë të tillë, por nuk munguan edhe ambulancat që ishin nisur nga Tirana drejt spitaleve të Shkodrës, Pukës e Fushë-Arësit. Kur kishin mbaruar së ardhuri të plagosurit, gjendja shëndetësore e të cilëve ishte shumë e rëndë, nisin të vinin ambulancat e para të morgut. Ato morën tre persona, dy prej të cilëve fëmijë. Policia konfirmoi se mes jetëhumburve ishte edhe drejtuesi i mjetit. Familjarët, të mpirë nga gjithçka kishte ndodhur, nuk po dinin si të orientoheshin, disa ankoheshin se nuk po gjenin njerëzit e tyre, por mjekët i kanë qetësuar duke iu thënë se disa ishin në operacion.
Nuk kanë munguar në këtë ditë të vështirë edhe politikanët. Ata kanë ardhur njëri pas tjetrit. Fillimisht mbërritën të majtët, deputetët Ilir Beqja dhe Besnik Bare. Më pas ishin aty edhe të tjerë. Rreth orës 20.00 mbërriti edhe Kryeministri Berisha, ndërsa vetëm 30 minuta më pas Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe më në fund edhe kreu i opozitës, Edi Rama.
#