Negociatat, asnjë zgjidhje për fletët e votimit
Partia Demokratike dhe ajo Socialiste nuk kanë arritur të bien dakord këtë fundjavë në lidhje me gjetjen e një kompromisi për “fatin” e kutive të votimit. Burimet nga dy kampet bëjnë të ditur se tashmë pika e nxehtë mes palëve qëndron në faktin se cili do të jetë institucioni që do t’i drejtojë Komisionit të Venecias kërkesën për të argumentuar, nëse hapja e kutive të votimit në një komision është ligjore ose jo. Opozita socialiste, e përfaqësuar në negociata nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, kërkon që kjo kërkesë drejt Komisionit të Venecias të kalojë përmes Parlamentit shqiptar. Nga ana tjetër, mazhoranca, e përfaqësuar në negociata nga kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi, kërkon që kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit, fillimisht të depozitohet në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas të jetë kjo gjykatë ajo që të vendosë nëse çështja duhet çuar në Venecia. Sipas demokratëve, Parlamenti nuk mund ta kryejë këtë detyrë, sepse pjesa dërrmuese e tij, mazhoranca parlamentare, nuk e konsideron si ligjore kërkesën e socialistëve për hapjen e kutive të votimit në komisionin parlamentar. Në të gjithë këtë histori ngelet i paqartë roli i Presidentit Bamir Topi, i cili mund shikohet si një opsion nga opozita për ta çuar kërkesën e tyre në Komisionin ligjor të Venecias. Pas konsultave që po zhvillohen mes palëve, pritet që në mesin e javës së ardhshme të ketë sërish një takim me Ruçit dhe Patozit, për të bërë të ditur qëndrimet përfundimtare në lidhje me këtë çështje të nxehtë. Pak ditë më parë u zhvillua edhe takimi i parë mes dy krerëve të grupimeve kryesore për gjetjen e një zgjidhjeje në lidhje me krizën politike, e cila prej një viti qëndron mes palëve. Në takim u vendos ngritja e një komisioni të ri hetimor për çështjen e hetimit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit të shkuar. Po kështu, PD dhe PS ranë dakord që të ishin socialistët ata që do ta drejtonin dhe do të kishin shumicën në këtë komisionin, në të cilin aktualisht është vendosur hetimi i materialeve të votimit. Por çështja e madhe që ndan palët, ajo e fletëve të votimit, ende nuk ka gjetur në zgjidhje që të kënaqë interesat e të dyja palëve.
#