PS: Prokuroria të zbardhë ngjarjen
Partia Socialiste u ka shprehur dje ngushëllimet familjarëve të katër punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët humbën jetën gjatë një aksioni në plazhin e Durrësit. PS-ja shprehu tronditjen e thellë për këtë ngjarje, duke deklaruar se bashkohet me dhimbjen e familjarëve të viktimave. Por, nga ana tjetër, kjo parti kërkoi që ngjarja të zbardhet sa më shpejt, për shkak të bilancit tragjik të saj. Njëkohësisht, reagoi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet për familjarët. Njëkohësisht, kjo parti ka shprehur mbështetjen për Policinë e Shtetit në detyrën e saj kundër krimit të organizuar, si dhe dënimin më të rëndë për kriminelët. Katër punonjës policie humbën jetën dje gjatë një aksioni për kapjen e shumë të kërkuarit Dritan Dajti, i arratisur në 2003 nga gjykata.