E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, sot në ditë zie. Policët do të prehen te "Dëshmorët e Kombit"

Kryeministri shpall ditën e sotme si ditë zie në nderim të katër heronjve të Policisë së Shtetit që humbën jetën në aksionin e djeshëm për kapjen e kriminelit më të kërkuar në vend. Katër policët e vrarë, Kryeministri i shpalli me titullin "Dëshmorët e Atdheut". "Kjo ishte një e premte e zezë për Shqipërinë", theksoi Kryeministri Berisha, i cili e etiketoi Dritan Dajtin si kriminelin më të rrezikshëm dhe më të kërkuar të vendit. Kryeministri urdhëroi Ministrinë e Brendshme të kujdeset me detajet e ceremonisë së varrimit, për të cilat homazhet do të zhvillohen në Pallatin e Kongreseve dhe varrimi do të bëhet në varrezat e dëshmorëve të kombit. "Për Policinë e Shtetit dhe për mbarë vendin në tërësi, kjo është një tragjedi e zezë. Ranë në krye të detyrës për t‘u bërë të pavdekshëm katër anëtarët e Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar", theksoi Berisha. Qëndrimi i Kryeministrit erdhi pas vrasjes së katër kryeinspektorëve që humbën jetën në krye të detyrës, në një operacion që ata ndërmorën për të kapur kriminelin më të kërkuar dhe më të rrezikshëm, Dritan Dajtin dhe bandën e tij. "Sot familjet e katër policëve të vrarë, fëmijët e tyre të vegjël, bashkëshortet, prindërit, janë në zi të thellë për humbjen e njerëzve të tyre më të dashur", tha ai. Kryeministri shprehu ngushëllime edhe për forcat e rendit dhe u garantoi atyre të gjithë mbështetjen e qeverisë. "Forcat e rendit kanë humbur oficerët më trima të tyre, kombi shqiptar shërbëtorët e vet më të përkushtuar. Duke shprehur dhimbjen e thellë dhe solidaritetin e madh për fëmijët, bashkëshortet dhe familjarët, qeveria ka vendosur që katër kryeinspektorët, në përputhje me procedurat ligjore, të shpallen dëshmorë të atdheut dhe dita e shtunë të shpallet ditë zie", tha Berisha.

Urdhri për institucionet

Flamujt në të gjitha institucionet shtetërore do të ulen në gjysmështizë. Në orën 12.00, në nderim të viktimave do të ndërpritet çdo veprimtari dhe do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha institucionet publike. Duke e quajtur të premte të zezë, Kryeministri Berisha shprehu në emër të qeverisë ngushëllimet për familjet e katër policëve të vrarë, ngushëllime për forcat e rendit dhe mbështetje për të vazhduar luftën dhe betejën ndaj krimit. Me urdhër të Këshillit të Ministrave, sot e gjithë Shqipëria do të jetë në ditë zie për humbjen e katër heronjve të forcave të rendit, që në krye të detyrës për të kapur kriminelin më të kërkuar, Dritan Dajtin, u ndanë nga jeta duke lënë të vetme familjet e tyre. Edhe kompania "Eagle Mobile" e shtyu koncertin e parashikuar për sot, e që do të mbahej disa qindra metra larg vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë dje.

Ceremonia e varrimit

"Homazhet zyrtare për të nderuar të rënët e Policisë së Shtetit do të bëhen në Pallatin e Kongreseve, ndërsa varrimi i tyre do të bëhet në varrezat e dëshmorëve të kombit", theksoi Berisha. Qeveria shqiptare dhe Ministria e Brendshme do të përballojë të gjitha shpenzimet e varrimit të katër policëve tashmë të shpallur "Dëshmorë të Atdheut" nga Kryeministri i vendit.

Mesazhi i kreut të PS

Rama: Ngushëlloj me gjithë zemër familjet

Kryesocialisti Edi Rama shpreh indinjatën për ngjarjen tragjike, ku humbën jetën në krye të detyrës katër policë. Kreu i PS-së e cilësoi ngjarjen si një akt barbar dhe shprehu solidaritet për policinë e shtetit. "Ngushëlloj me gjithë zemër familjet", ishte mesazhi që kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka përcjellë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ngjarjen e rëndë që tronditi dje qytetin bregdetar dhe gjithë Shqipërinë. Ngjarja tragjike mori jetën e katër policëve, sipas Ramës, nxjerr në pah dobësitë ekstreme të shtetit përballë këtyre fenomeneve dhe nga pushteti i kalbur nga korrupsioni. "Ngjarja tragjike, mori jetën e katër policëve dhe ishte një akt barbar i cili duhet dënuar", thuhet në mesazhin e kryetarit të Partisë Socialiste.

Presidenti

Topi: Autori përpara drejtësisë

Presidenti Bamir Topi ngushëllon familjarët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës duke dënuar njëkohësisht këtë krim të pashembullt. Presidenti Topi u dërgoi mesazhe ngushëllimi familjeve të katër punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës: Drejtuesit Fatos Xhani, kryeinspektorëve Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska duke vlerësuar aktin e tyre heroik, duke dënuar ashpërsisht krimin makabër si dhe duke kërkuar ndëshkimin e autorit të kësaj ngjarjeje të paprecedent. "Me cilësinë e Presidentit të Republikës, por edhe si qytetar, nxis të gjitha strukturat shtetërore që të vendosin sa më parë përpara drejtësisë autorin e kësaj ngjarje që tronditi mbarë opinionin", tha Presidenti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›