E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Punësimet e të rinjve në administratë, po përfitojnë militantët e PD-së



Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kërkon rishqyrtimin e vendimit të qeverisë për punësimin e 1618 punonjësve me kontratë të përkohshme në administratën shtetërore. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Blendi Klosi, tha se ky vendim i qeverisë është një vendim elektoral, i cili synon që të punësojë militantët e Partisë Demokratike, duke shkelur ligjin e shërbimit civil. “Ky vendim i miratuar në nisje të fushatës elektorale, vetëm 145 ditë nga dita e votimit, për ne është shumë shqetësues, pasi i jep qeverisë së Sali Berishës mundësinë të punësojë me qëllime të pastra militante, jashtë çdo kriteri të ligjit të shërbimit civil, 1600 militantë të partisë në pushtet. Ky vendim i qeverisë ‘në dietë’ të Sali Berishës kërkon që në kundërshti të plotë me atë çka thotë për shkurtime administrative, të paguajë jashtë ligjit të buxhetit për vitin 2009 plot 1600 punonjës shtesë, të cilët në shumicën e tyre do të jenë punonjës për të rritur shërbimet dhe koston administrative”, - tha Klosi.
Deputeti socialist tha se vendimi i qeverisë bie në kundërshtim të plotë me ligjin e buxhetit të vitit 2009. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ai kërkoi rishqyrtimin dhe ripunimin e këtij vendimi të Këshillit të Ministrave. “Në këto kushte, kur ky vendim bie në kundërshtim të plotë me ligjin e buxhetit të vitit 2009, kur nuk merr parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrjes së kompetencave nga pushteti vendor, kur është kundër filozofisë së shkurtimeve administrative, por dhe më e rëndësishmja, kur hartohet me prapaskena të theksuara politike për të punësuar vetëm militantë partiakë, Grupi Parlamentar i PS-së kërkon me urgjencë që ky vendim të kthehet e të ripunohet nga Këshilli i Ministrave”, - tha Klosi.

4 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›