E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Projekti i ullishtave, vjedhja më e madhe e Berishës pas rrugës ‘Durrës-Kukës’”

Kreu i PS-së akuzon kryeministrin për afera korruptive me miqtë dhe njerëzit e familjes së tij.

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka akuzuar kryeministrin Berisha se me projektin për mbjelljen e 20 milionë rrënjë ullinjve, po tenton të realizojë vjedhjen më të madhe korruptive, pas rrugës “Durrës-Kukës”. Këto akuza Rama i bëri gjatë një bashkëbisedimi me median në zonën e Liqenit Artificial në kryeqytet. Kreu i PS-së iu referua vendimit të qeverisë në lidhje me këtë nismë, për dhënien me koncesion me vlerën 1 euro të 1000 hektarëve në zonën e Kavajës. Rama e akuzoi kryeministrin Berisha se ua ka dhënë këtë sipërfaqe miqve dhe njerëzve të lidhur me familjen e tij. “Dhënia me koncesion e tokës me një çmim qesharak prej 1 eurosh nga ana e qeverisë duhet që kryeministri dhe ministri i Bujqësisë të shpallin një procedurë konkurrimi për të tërhequr oferta nga investitorë të vendeve të huaja, por përkundrazi, ata kanë përdor një procedurë përjashtuese. I bëj apel Berishës që ta ndalojë zhvillimin e mëtejshëm të kësaj skeme korrupsioni me dhurimin e tokave shtetërore tek miqtë e tij dhe familja e tij”, - u shpreh Rama”.

Vendimi

Rama iu referua vendimit të Këshillit të Ministrave në lidhje me nismën e qeverisë për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj. Kreu i PS-së tha se nisma për dhënien me koncesionit është bërë pa një studim përkatës. “Ashtu si dhe në shumë raste të tjera, kryeministri ka kurajën publike të deklarojë shifra marramendëse si kjo e 20 milionë ullinjve që do të mbjellë, ndërkohë që në të njëjtën mbledhje deklaron këtë shifër, Këshilli i Ministrave vendos t'i akordojë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit një fond prej 15 milionë lekësh për të kryer një studim mbi ullirin, i cili të analizojë gjendjen aktuale të kësaj kulture dhe perspektivën e zhvillimit të saj. Pra, kryeministri, pasi i ka paracaktuar vetë treguesit e një projekti të tillë, kaq të kushtueshëm, angazhon studiuesit thjesht për t'i konfirmuar ato. Prandaj për këtë koncesion, sikundër për qindra koncesione të tjera të dhëna pa konkurrim të hapur, të cilat duhen e do të verifikohen një për një, kryeministri, ministri i Ekonomisë dhe ministri i Bujqësisë, duhet të mos mendojnë se mund të fshihen pas kolegjialitetit të vendimit”, - tha Rama. Ai konfirmoi qëndrimin e tij kundër si kreu i PS-së dhe kreu i Bashkisë së Tiranës në lidhje me këtë nismë.
“Ja pse unë si kryetar i Bashkisë, si qytetar dhe si kryetar i opozitës, nuk mund t’i bashkohem këtij projekti, përkundrazi, i bëj apel publikisht kryeministrit Sali Berisha që ta ndalojë zhvillimin e mëtejshëm të kësaj skeme korrupsioni me dhurimin e tokave shtetërore tek miqtë e tij dhe të familjes tij”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.

Projektet
Rama e akuzoi qeverinë “Berisha” se ka bërë korrupsion dhe abuzime marramendëse për shumë investime të rëndësishme në infrastrukturë, energjetikë dhe bujqësi. “Përvoja me këtë kryeministër të paaftë e të pandershëm na ka treguar tanimë se pas premtimeve të tij bombastike fshihet gjithnjë diçka tjetër. Te rruga Durrës-Kukës, pas patriotizmit ‘të flaktë’, fshihet grabitja qindra milionëshe, për të cilën Kontrolli i Lartë i Shtetit tashmë është shprehur fare qartë dhe Prokuroria ka filluar një proces që s'do ta mbyllin dot kurrë pa u zbardhur e vërteta as marifetet në shortet e gjyqtarëve dhe as sulmet e turpshme mbi prokuroren e Përgjithshme. Tek HEC-et e TEC-et, pas parullës ‘Shqipëria superfuqi energjetike’, fshihen dhjetëra marrëveshje që janë pjesë e një skeme gjithnjë e më të qartë korrupsioni në përmasa kolosale, për të cilën do të ekspozojmë fakte e shifra kuptimplota në vijim”, -tha kreu i PS-së, Edi Rama.

4 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›