E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria Berisha, vendime të dyshimta

Debati për SHISH, pas raportimit të Bahri Shaqirit në Komisionin e Sigurisë

Debatet për Shërbimin Informativ Shtetëror, të mbyllura pak muaj më parë me vizitën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, janë riaktualizuar pas raportimit të drejtorit të këtij institucioni, Bahri Shaqiri, në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Tri ditë më vonë nga ky raportim vjetor, në datën 26 qershor, përfaqësues të Partisë Socialiste, gjatë punimeve të Këshillit të saj Ekonomik Kombëtar, publikuan të dhëna të raportit sidomos për sa i përket investimeve të huaja të dyshimta, si dhe përpjekjeve të krimit të organizuar ndërkombëtar për të zhvilluar aktivitet ekonomik në Shqipëri. “Produkti kriminal i përftuar nga narkotrafiku vijon të investohet në blerje trojesh, ndërtim, blerje të mjeteve të rënda që përdoren në industri por edhe në industrinë e lehtë dhe ushqimore...Vepra kriminale e pastrimit të parave brenda Shqipërisë dhe në Ballkan, po shkon drejt sofistikimit. Investimet direkte apo indirekte të produktit kriminal të përfituar po rrallohen, ndërkohë që grupe kriminale, kryesisht të huaja, po punojnë në këtë fushë, përmes operacioneve të ndërlikuara bankare...”, do të shprehej në këtë takim deputeti socialist, Erjon Braçe. Riprodhimi i të dhënave të raportit të SHISH nga opozita socialiste në fakt ka hapur për publikun panoramën e vërtetë të asaj që qëndron pas shumë zhvillimeve me sens ekonomik dhe financiar dhe që me sa duket kanë qenë objekt i punës së SHISH, apo janë marrë në konsideratë si të rëndësishme në këtë drejtim. Problemi politik i këtij raportimi me dyer të mbyllura jepet më poshtë nga deputeti socialist, i cili, duke iu referuar informacioneve të përcjella nga Shaqiri, deklaronte se vetë dokumenti i prezantuar paralajmëron se “potencialet ekonomike shfrytëzohen në funksion të fuqizimit disaplanësh me ambicie ndikimin në favor të politikave përkatëse”. Ky konkluzion i ka dhënë dorë PS të japë një përkufizim të vetin për situatën e tanishme në Shqipëri, i cili mund të shihet edhe si një mesazh politik. “Për fat të keq, vendimmarrja e qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha po krijon lehtësira të qëllimshme për realizimin e këtyre objektivave kriminale, politike e strategjike”, nënvizonte PS në punimet e Këshillit të vet Ekonomik Kombëtar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›