Zv.ministri i Mbrojtjes, Starova: Deklarata absurde
Deklarimet e fundit të përfaqësuesve të opozitës socialiste për një diskutim të statusit të anëtarit të NATO-s, për shkak të ligjit për SHISH janë të paqena dhe të pabazuara. Numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes, Arjan Starova, deklaroi dje për gazetën “Shqip” se nuk ka asnjë situatë të kësaj natyre dhe se të gjitha qëndrimet e përcjella së fundmi në media janë vetëm spekulime politike. “Janë deklarata absurde dhe fantaziste, që nuk kanë asnjë bazë të vërtetë”, u shpreh Starova, duke iu referuar një deklarate të ish-ministrit të Mbrojtjes, deputetit socialist, Pandeli Majko. Ky i fundit bëri të ditur dy ditë më parë se zhvillimet politike të qendërzuara në diskutimin për projektligjin e SHISH rrezikojnë edhe statusin e anëtarit të NATO-s për Shqipërinë. Një jehonë të këtillë, por jo me tone kaq të forta i ka bërë nismës për shërbimet sekrete edhe aleati republikan i Kryeministrit Sali Berisha, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ka nënvizuar nevojën e konsultimeve me Aleancën për një ligj të tillë. Apelit politik, zv.ministri i Mbrojtjes Starova i është kundërpërgjigjur qetësisht, teksa i ka cilësuar shqetësimet që flasin për ngrirje të kredencialeve të anëtarësimit si absurde. Për sa i përket propozimit të NATO-s për asistencë për projektligjin e SHISH, ai ka nënvizuar se kjo është një çështje që i përket institucioneve të tjera në mënyrë më të drejtpërdrejtë. “Ne si Ministri e Mbrojtjes nuk kemi ndonjë kërkesë zyrtare për këtë gjë, por natyrisht nuk jam unë personi që mund të ezauroj një përgjigje definitive rreth kësaj çështjeje”, u shpreh Starova. Një kërkesë e supozuar nga NATO për të ofruar konsultime për ndryshimet në ligjin e SHISH, duket se deri më tani mbetet të jetë vetëm pjesë e deklarimeve publike të përfaqësueseve të politikës. Duke u nisur nga praktika e muajve më parë, është me vend të mendohet se konsultimi fillestar është politik dhe si i tillë do parë edhe zgjidhja verbale që u bë në përpjekjen e parë me telefonatën e sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Rasmussen. Të paktën ky është realiteti që aktualizohet së fundmi, kur përballë shqetësimeve në rritje të opozitës socialiste, Kryeministri Sali Berisha së bashku me drejtuesen e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, kanë rikonfirmuar se nisma për ndryshim do të miratohet. Me një qetësi që flet për atë se tensioni më shumë është instrument veprimi i opozitës, sesa prezencë në debatin e tanishëm, mazhoranca e drejtuar nga Berisha po shpërfill në dukje edhe votën kundër të deklaruar nga aleatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një përshtypje kjo që krijohet nga ngjarjet e tanishme, që mund të marrin një drejtim tjetër sot në seancën plenare të fundit për këtë sesion parlamentar.
#