E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet informaliteti, financat në rrezik

FMN jep alarmin. Ekspertët: Bizneset priren të fshehin aktivitetin në kohë krize

Financat e shtetit janë vënë në pikëpyetje jo vetëm nga rritja e shpenzimeve të qeverisë, por edhe për shkak të një dukurie tjetër edhe më shqetësuese, që ngre të tjera pikëpyetje për qëndrueshmërinë e buxhetit.

Në vitin 2009, të ardhurat e mbledhura nga taksat në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, ranë për herë të parë që nga 2003-shi. Sipas të dhënave zyrtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar, vitin e kaluar qeveria mblodhi nga taksat në dogana dhe tatime 23.5 lekë për çdo 100 lekë që qarkulloi në ekonomi ose 0.8 pikë përqindje më pak se sa në 2008-n.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave paralajmërojnë se kjo tendencë do të vazhdojë edhe për këtë vit. FMN-ja parashikon se të ardhurat e mbledhura nga taksat për vitin 2010 në raport me Produktin e Brendshëm Bruto do të bien në nivelin 22.9 për qind, më i ulëti që nga viti 2006, përpara se të hynte në fuqi taksa e sheshtë.

Rënia e të ardhurave nga taksat do të thotë se në ekonomi po rritet informaliteti, një gur beteje të cilin Kryeministri e ka përdorur fort katër vitet e kaluara, duke e cilësuar shpesh si një nga sukseset më të mëdha të qeverisë së tij.

Dy vitet e fundit kanë ecurinë më të dobët të mbledhjes së taksave, që nga 2003. Ekspertët thonë se shkaqet janë disa, që nga kriza e deri tek rritja e informalitetit, pasi bizneset në kohë krizash priren të fshehin të ardhurat.

Tashmë që borxhi publik është rritur, tkurrja e të ardhurave ngre pikëpyetje jo të vogla mbi qëndrueshmërinë e financave të shtetit. Një shqetësim ky që po artikulohet fort së fundmi nga institucionet ndërkombëtare që monitorojnë ekonominë. Madje FMN-ja shkon deri aty sa të paralajmërojë se rritja e shpenzimeve të buxhetit mund të vërë në pikëpyetje bazën e sistemit tatimor në Shqipëri, taksën e sheshtë në nivelin 10 për qind, një nga reformat më të rëndësishme të qeverisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›