E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Bujqësisë kundërshton Ramën

Deklaratave të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, për dështimin e qeverisjes së PD-së në sektorin e bujqësisë, u është përgjigjur dje Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Rexhep Shahu, doli dje në një konferencë për shtyp, për të kundërshtuar deklaratat e Edi Ramës, duke përmendur ato që ai i quajti "arritje të qeverisë". "Edi Rama nxiu sa mundi bujqësinë shqiptare, punën dhe mundin e fermerëve shqiptarë, duke menduar se punët e bujqësisë janë si lyerja me këmbë e pallateve në Tiranë, apo mbjellja nga të tjerët e 100 pemëve në Tiranë", u shpreh Shahu. Sipas tij, Rama harroi të fliste "për Emisarin e madh të Myzeqesë, 31 kilometra të gjatë, 15 metër të gjerë e gati 10 metër të thellë që po pastrohet pas 30 vjetësh nga Ministria e Bujqësisë për të kulluar Myzeqenë. Nuk foli për Kolektorin e madh të Roskovecit nga Berati në det në derdhje të Semanit mbi 30 kilometra të gjatë për të kulluar mbi 30 mijë hektarë tokë"

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Bujqësisë "Modeli ‘Jeminian‘ e ‘Berishian‘ janë lidhur ngushtësisht me fermerin shqiptar, sepse vetëm këtë vit, do të mbillen nga fermerët, veç të tjerave, dy milionë rrënjë ullinj me fonde të shtetit dhe në tre vitet që vijnë do të mbillen 20 milionë rrënjë ullinj."


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›