E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria, ilegjitime, prodhim i deformimit të zgjedhjeve

Deputetja e Partisë Socialiste. Olta Xhacka në një deklaratë për shtyp sot nga selia e PS u shpreh se qeveria e re vetëm sa do të thellojë krizën në vend, pasi eshte shembelltyre e deformimit të rëndë të moralit të politikës 

TIRANË- Partia Socialiste e konsideron qeverinë e re që nisi punën sot, pas betimit të anëtarëve të saj para Presidentit të Republikës, Bamir Topi, si "një qeveri e dalë nga deformimi i zgjedhjeve të 28 qershorit".
Deputetja e Partisë Socialiste. Olta Xhacka në një deklaratë për shtyp sot nga selia e PS u shpreh se qeveria e re vetëm sa do të thellojë krizën në vend.
“Kjo qeveri është shëmbëlltyra e deformimit të rëndë të moralit të politikës e të qeverisjes në Shqipëri dhe pushteti i saj, i prodhuar me manipulime e korrupsion elektoral nga Sali Berisha, si edhe me vota të trafikuara nga e majta në të djathtë nga Ilir Meta, është një pushtet që do të thellojë krizën e demokracisë, të shtetit të së drejtës e të ekonomisë së vendit, do të rrisë varfërinë e papunësinë", tha deputetja e PS-së, Olta Xhaçka.
Duke iu referuar ftesës së Kryeministrit Berisha për pjesëmarrjen e opozitës në Kuvend, Xhaçka tha se “hyrjen në Kuvend, jemi gati ta bëjmë që nesër nëqoftëse na jepet e drejta legjitime e demokratike të bëjmë transparencë të plotë për zgjedhjet e 28 qershorit, duke hapur kutitë e votimit përpara popullit shqiptar”.
PS nuk ia fal LSI faktin e hyrjes ne qeveri me Berishën. Xhacka u shpreh sot pas zyrtarizimit të qeverisë “se Ilir Meta u betua se do të nxirrte në pension Sali Berishën dhe do të hiqte nga kurrizi i shqiptarëve qeverinë e Gërdecit, në fakt mbajti në punë Sali Berishën dhe hipi edhe vetë në kurrizin e shqiptarëve duke u bërë pjesë e qeverisë së Gërdecit”.

Qeveria e re, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, zhvilloi paraditen e sotme, mbledhjen e parë, menjëherë pas ceremonisë së betimit të anëtarëve të saj para Presidentit të Republikës.
Gjatë kësaj mbledhje, Kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha, ftoi sërish opozitën që ta lexojë me vërtetësi raportin e ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 28 qershorit dhe të vijë në parlament për të mirën e vendit.
Mbrëmjen e kaluar qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit u votua pa praninë e 65 deputetëve të PS-së, të cilët kanë bojkotuar seancat parlamentare në bazë të një vendimi te kesaj partie që lidhet me transparencën e procesit zgjedhor që konsiderohet i deformuar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›