E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria, në aventurë ekonomike. PD: Në krizë është Rama, jo biznesi

Replikat Situata e fundit ekonomike në vend shërben si objekt polemikash mes dy kampeve kryesore

Mazhoranca dhe opozita kanë shkëmbyer dje akuza të rënda me njëra-tjetrën për zhvillimet ekonomike të vendit. Ndërsa selia rozë ka akuzuar qeverinë se po heq paratë nga bankat, pasi nuk ka para në buxhet në dëm të ekonomisë, selia blu i është kundërpërgjigjur menjëherë, duke i quajtur shpifje.

PS

Opozita ka akuzuar qeverinë se po thith të gjithë likuiditetin monetar nga tregu, duke reduktuar mundësitë për kreditim dhe investimet për biznesin privat. Nënsekretari për Programin e Partisë Socialiste, Ervin Bushati, deklaroi dje se “thatësira financiare e detyron qeverinë të rrisë huamarrjen e brendshme në 856% larg normalitetit, kjo vetëm në katër muajt e parë të 2010-s. Ky borxh i frikshëm është shenjë e qartë e panikut financiar dhe qeverisës që ka kapur zotin Berisha. Investimet private dhe kreditimi i biznesit bllokohen në këtë mënyrë nga qeveria që asfikson ekonominë në vend. Shteti është ‘borxhliu i sëmurë’, që po infekton dhe sektorin privat në një kthesë të rrezikshme të ekonomisë sonë”. Sipas selisë rozë, qeveria është futur në një aventurë ekonomike, duke u konfliktuar me institucionet më të mëdha financiare botërore. Ervin Bushati, duke prekur këtë aspekt, ka paralajmëruar probleme edhe në të ardhmen. “Përplasja me Bankën Botërore, së fundmi, si me çdo faktor tjetër ndërkombëtar, është një ogur i aspak i mirë për mënyrën se si po shkojnë financat publike dhe ekonomia shqiptare në këtë periudhë krize. Etja e qeverisë për likuiditete është dëshpëruese, sidomos kur qeverisë i mungojnë nga arka e shtetit 10 miliardë që në 4-mujorin të 2010”, tha zyrtari socialist. Bushati nuk është mjaftuar me kaq, madje ka shkuar edhe më tej në akuzat e tij. “Qeveria thith të gjithë likuiditetin monetar nga tregu bankar, duke lënë në thatësirë ekonominë private, e cila vuan nga mungesa e investimeve dhe kredive, për shkak të qeverisë. Zoti Berisha, ashtu si dhe ministri i tij i Financave të 1997-s, ‘harron’ të flasë për situatën reale të financave publike në vend me papërgjegjësinë më të madhe”.

PD

Ka qenë e menjëhershme përgjigjja e PD-së, nëpërmjet zëdhënëses Erla Mëhilli, e cila nuk ka harruar etiketimet e përditshme.
“Edvin Kristaq Kriza dhe çeta e bllokmenëve të rinj, me urinë e etërve të tyre për pushtet, me mllefin e trashëguar klasor, pas ndëshkimit të merituar me votën e shqiptarëve përpiqen me çdo mjet, shërbehen me çdo tellall, të nxijnë arritjet e ndershme së pari të qytetarëve shqiptarë dhe të shoqërisë shqiptare, si dhe të qeverisë dhe shtetit në rrugën e zhvillimit dhe integrimit të vendit”, u shpreh Mëhilli. Sipas saj, “këta shokë mjeranë nuk kuptojnë se në krizë të thellë dhe të pashpresë madje, janë ata dhe jo biznesi shqiptar, që në katër muajt e parë të këtij viti regjistroi 7500 biznese të reja kundrejt 5300 që u regjistruan në katër muajt e parë të vitit 2009”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›