E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qefalia: Qeveria nuk ka para për investime

PS

Partia Socialiste i është kundërpërgjigjur menjëherë Kryeministrit Sali Berisha, pas akuzave të tij ndaj liderit të opozitës, Edi Rama. Në tribunën e replikës është shfaqur deputeti socialist i kryeqytetit, Xhemal Qefalia, i cili deklaroi se qeveria nuk po i mban premtimet e dhëna në fushatë për investime, pasi nuk ka para dhe po pret shirita rrugësh të përuruara më parë. “Që Sali Berisha nuk po e qeveris më vendin, kjo dihet prej muajsh. Që situata ekonomike e familjeve shqiptare është e rrënuar, këtë e dinë më mirë se kushdo tjetër vetë shqiptarët.

Por Kryeministri i pykave, i cili ka zbrazur arkën e shtetit dhe nuk mund të bëjë investimet e premtuara pasi nuk ka para, ka nisur valën e dytë të përurimeve, duke prerë shirita rrugësh të inauguruara më parë”, deklaroi për mediat deputeti Qefalia. Përgjigjja e PS-së ka ardhur pas deklaratës së Kryeministrit Berisha, i cili nga Fushëkuqja i është drejtuar me tone të ashpra kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, duke bërë një krahasim, ku sipas Berishës, në Fushë Kuqe janë ndërtuar 26 kilometra rrugë, ndërsa në Tiranë 12 kilometra, ndonëse taksat janë rritur nga bashkia. Deputeti socialist Xhemal Qefalia i është kundërpërgjigjur me ironi kreut të mazhorancës. “Sa i takon qeverisjes së Tiranës, Sali Berisha e ka marrë katër herë rresht përgjigjen që meriton nga qytetarët. Tri herë për Bashkinë e Tiranës dhe përgjigjen e fundit e mori në qershor të 2009-s. Dhe këtë përgjigje do ta marrë sërish. Ndaj Sali Berisha t’i lërë përrallat, por të bëjë transparencën, të hapë kutitë e të çlirojë ekonominë”, deklaroi Qefalia.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›