E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Qeveria po shpërdoron buxhetin e shtetit për qëllime elektorale



Partia Socialiste denoncon veprimin e qeverisë “Berisha” për shpërdorimin e pakontrolluar të të ardhurave të buxhetit të shtetit, në funksion të qëllimeve të saj elektorale. Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, tha se qeveria e gjendur nën panikun e humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit ka tejkaluar shpenzimet e parashikuara. Sipas tij, qeveria ka shpenzuar 18% më shumë për pagat, 87% më shumë për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe 14% më shumë për subvencionet. Në emër të PS-së, Beqja i bëri thirrje qeverisë që të mos shpenzojë paratë për qëllimet e saj elektorale. “Nën panikun e humbjes së pushtetit më 28 qershor 2009, qeveria e Sali Berishës ka hequr dorë edhe nga përgjegjshmëria në administrimin e shpenzimeve. Që në muajin e parë të vitit 2009, qeveria ka tejkaluar shpenzimet për pagat me 18%, për kontribute të sigurimeve shoqërore me 87% si dhe për subvencionet me 14%”, - tha Beqja. Gjithashtu, ai denoncoi faktin se në arkën e shtetit mungojnë rreth 17 milionë dollarë, të shkaktuara nga qeverisja si rezultat i mosmbledhjes së të ardhurave fiskale. Sipas Beqjes, mungojnë 10 milionë dollarë nga tatimi mbi vlerën e shtuar, 3.6 milionë dollarë nga akcizat dhe 3.1 milionë dollarë nga tatimi mbi fitimin.

Braçe në Berat: “Qeveria po lë pa karta identiteti votuesit në bastionet e PS-së”

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka denoncuar nga qyteti i Beratit mungesën e 17 mijë zgjedhësve pa pasaportë në listat prioritare për pajisjen me karta identiteti. Sipas Braçes, vetëm në Rrethin e Beratit dhe në atë të Kuçovës mungojnë 17 mijë zgjedhës në këto lista. Deputeti socialist tha se një gjë e tillë është bërë në mënyrë të qëllimshme nga qeveria për të manipuluar zgjedhjet e 28 qershorit. Deputeti socialist tha se procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit është në prag të dështimit. Ai tha se
ky proces nuk po cenohet nga vullneti i qytetarëve për t’u pajisur me këto karta, por nga vetë qeveria, pasi në 2 rrethet, Berat e Kuçovë, rezulton se lista e personave që nuk janë të pajisur me pasaporta dhe që duhet të pajisen me karta identiteti është shumë më e madhe se lista që ka nxjerrë për këto dy rrethe Ministria e Brendshme. “Sipas verifikimeve të drejtpërdrejta që kanë bërë
kryetarët e komunave, rezulton një shifër 60% më e lartë nga shifra që ka sjellë Ministria e Brendshme”, - tha ai. Braçe ka akuzuar qeverinë për manipulim të zgjedhjeve nëpërmjet mohimit të së drejtës kushtetuese të mbi 17 000 votuesve vetëm në dy
rrethet e qarkut të Beratit që kanë dëshmuar në të gjitha zgjedhjet se janë bastione të Partisë Socialiste.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›