KQZ, udhëzim për rolin e policisë gjatë zhvillimit të zgjedhjeve
Shaban Sulçe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë dhe të shpërndajë një udhëzim të rëndësishëm, i cili përcakton rolin që duhet të ketë Policia e Shtetit gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ky udhëzim, që do të nxirret nga KQZ-ja, do të jetë i bazuar në nenet e Kodit Zgjedhor, i cili përcakton rolin dhe kompetencat e uniformave blu gjatë procesit zgjedhor. Udhëzimi i detajuar i KQZ-së pritet t’u dërgohet strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit, së cilës do t’i kërkohet zbatimi i ligjit, respektimi i të drejtave dhe kontributi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Kodi
Në Kodin Zgjedhor është sanksionuar roli dhe detyrat që duhet të përmbushë Policia e Shtetit gjatë procesit të zgjedhjeve. Sipas Nenit 109, në rast se në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, KQV-ja ka të drejtë të thërrasë organet e policisë së shtetit. Vendimi për kërkimin e ndihmës për vendosjen e rendit i njoftohet menjëherë KZAZ-së. Kryetari, zëvendëskryetari ose çdo anëtar i Komisionit të Qendrës së Votimit, njofton menjëherë Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve për incidentin e ndodhur. KZAZ-ja ia përcjell kërkesën menjëherë organeve të policisë së shtetit, ndërsa menjëherë pas rivendosjes së rendit në qendrën e votimit komisioni i qendrës së votimit duhet t’u kërkojë organeve të policisë së shtetit që të largohet. Sipas Kodit Zgjedhor, gjatë procesit të votimit, pranë qendrave ku votohet lejohet prania e punonjësve të armatosur të policisë së shtetit dhe punonjësit e policisë së burgjeve brenda territorit të burgut ose vendit të paraburgimit, ku është ngritur qendra e posaçme e votimit, që të vëzhgojnë respektimin e rendit gjatë procesit të votimit. Punonjësit e policisë do të ruajnë kutitë e votimit, gjatë procesit të depozitimit të tyre në KZAZ. Dërgimi i tyre bëhet me automjet, në të cilin ndodhen anëtarët dhe sekretari i KQV-së, si dhe një punonjës policie, i cili ka detyrë të garantojë shoqërimin dhe mosprekjen e kutisë/kutive të votimit me fletët e votimit dhe të kutisë së materialeve të votimit. Sipas Kodit,
punonjësi i policisë është efektiv i përhershëm i policisë së shtetit, përjashtuar policinë kriminale, i ngarkuar me detyrën e shoqërimit nga KQZ-ja, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Polici i shoqërimit duhet në çdo moment të mbajë uniformën e policisë së shtetit dhe të ketë në një vend të dukshëm numrin rendor të caktuar nga KQZ-ja dhe mbiemrin e tij me përmasa të dukshme.
Policia elektorale
Pavarësisht se Kodi Zgjedhor përcakton qartë rolin që duhet të ketë Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor, Partia Socialiste gjatë javëve të fundit ka ngritur me forcë shqetësimin e saj për krjimin e policisë elektorale. Sipas selisë rozë, kohët e fundit në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit janë emëruar militantë të PD-së, të cilët tentojnë ta shndërrojnë policinë në polici elektorale. Këto emërime janë denoncuar në mënyrë të njëpasnjëshme nga deputeti socialist Pirro Lutaj. Ai ka thënë se emërimet e reja në postet drejtuese të policisë së shtetit po rrezikojnë jo vetëm besueshmërinë e këtij institucioni, por edhe procesin zgjedhor dhe rolin e policisë së shtetit në këtë proces. Lutaj është shprehur se drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe ata të policisë së shtetit kanë lënë mënjanë objektin e punës së tyre, pra luftën kundër krimit dhe trafiqeve, por po planifikojnë ngritjen e një infrastrukture policore të motivuar politikisht në funksion të zgjedhjeve të vitit 2009.
11 Mars 2009