'Durrës-Kukës', Prokuroria thërret Lulzim Bashën

Çështja e 'abuzimeve me fondet' e rrugës Durrës-Kukës çon sërish në Prokurori, ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha. Por këtë herë, kreu aktual i diplomacisë shqiptare do të njihet me akuzat, dhe për herë të parë do të merret në pyetje në cilësinë e të pandehurit. Njoftimi është bërë i ditur nga avokati i ministrit, Zef Nikaj, i cili pranon se ka marrë një shkresë nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama dhe ngjitur me të edhe një fletëthirrje drejtuar klientit të tij. Mësohet se Prokuroria i ka kërkuar ministrit Basha të paraqitet në organin e akuzës brenda datës 27 nëntor 2008. Por në reagimin e tij, avokati i Lulzim Bashës thotë se vendimi "demostron qartë prapavijën politike të trajtimit të kësaj çështjedhe përdorimin si një mashë politike të Prokurorisë së Përgjithshme". Avokati i ish-ministrit të Transporteve thote se
"në thelb të gjitha këto veprime tregojnë abuzim me pushtetin ligjor nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme si dhe shkelje të dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që garantojnë të drejtat dhe liritë e individit për një proces të rregullt ligjor". Fletëthirrja e Prokurorisë së Përgjithshme për Lulzim Bashën vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës vendosi pranimin e kërkesës për anulimin e vendimit për zgjatjen e hetimeve për procedim penal. Gjykata vendosi që pas datës 06.11 2008 të mos kryhet asnjë veprim hetimor në llogari të kësaj çështje, përndryshe ata do të konsiderohen të pavlefshëm e të papërdorshëm.