E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Akuzat e Tavos? Reforma zgjedhore më e rëndësishme

Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet rekomandimet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 Majit në Shqipëri, ndërsa i bën thirrje partive politike për fillimin sa më shpejt nga puna për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. LSI, përmes nënkryetarit Petrit Vasili, reagoi të martën ndaj këtij raporti, duke nënvizuar se mbështet të gjitha rekomandimet e tij, të cilat, tha ai, kanë nevojë për një reflektim të shpejtë. “Sot, pasi kemi në duar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, ku kërkohet qartë kryerja e reformës zgjedhore para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, nuk ka më asnjë alternativë tjetër të përgjegjshme veç asaj të uljes së partive në tavolinën e bisedimeve për përmirësimin e Kodit Zgjedhor”, - tha nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili. Ai u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që pa asnjë kompleks, kusht dhe paragjykim të ulen në tavolinën e bisedimeve për ndryshimin e Kodit, pasi rekomandimet e OSBE/ODHIR-it janë rruga ku duhet të ecet për përmbushjen e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërkohë që interesimit të medias lidhur me debatet e hapura së fundmi në këtë forcë ku deputeti Vangjel Tavo e ka akuzar atë për korrupsion në Ministrinë e Shëndetësisë dhe keqmenaxhim të këtij institucioni, ai nuk ka preferuar t’i përgjigjet, ndërsa ka theksuar se reforma zgjedhore ka më shumë rëndësi. Megjithatë, dalja e djeshme e Vasilit në konferencë shtypi nga podiumi I LSI-së, mund të konsiderohet edhe si një mbështetje që forca e tij i ka dhënë në këtë debat apo edhe si një tregues se mosmarrëveshjet tashmë janë sqaruar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›