PS, Shamku: MASH po deformon aplikimin e K. Bolonjës
TIRANE- Partia Socialiste akuzoi sot Ministrinë e Arsimit se po deformon aplikimin e Kartës së Bolonjës. Në një prononcim për shtyp kryetarja e Komisionit të Arsimit në PS, Ledi Shamku tha se ky implementim po e shkallmon më tej këtë profesion tashmë në braktisje të mësuesisë.
“Sipas standardeve të parashkruara nga Karta e Bolonjës çdo student që pas katër vitesh shkollimi diplomohet mësues, e ka patjetër rrugën hapur të vijojë më tej studimet në shkallët master e doktoraturë. Por sipas rregullores abuzive që ka hartuar Ministria e Arsimit, një të sapodiplomuari për mësues i thuhet sot të ndjekë çdo lloj "specializimi", me përjashtim të degës ku ka studiuar. Pra karriera e tij profesionale, por edhe ëndrra e të gjithë atyre që duan të bëhen mësues, shuhet se kështu do MASH-i!”-deklaroi ajo për mediat.
Shamku shtoi se Ministria e Arsimit përmes injorimit të këtij problemi po mban peng brezin e ri të arsimtarëve. ”Nëse Ministria do vijojë ta injorojë problemin, pas 4 muajsh, brezi i parë i të diplomuarve në mësuesi, do gjendet edhe ai pa rrugëdalje. Ndaj sot, i kërkojmë MASH-it të marrë parasysh kërkesën legjitime të Universiteteve, e të mos mbajë kështu peng aspiratat e brezit të ri”-përfundoi kryetarja e Komisionit të Arsimit në PS Shamku.
(s.g/BalkanWeb)