Kryemadhi: Sheshi Skënderbej ka gllabëruar miliarda lekë e sërish është në gjendje skandaloze

Shalsi shpall muajin qershor si “muajin kundër Metës dhe Berishës”
Sheshi “Skënderbej” për grupin e këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim është shembulli më i qartë i abuzimit flagranmt me fondet e Bashkisë së Tiranës. “Jemi sot këtu, në këtë shesh, që është sheshi Skënderbej, që është oborri i të gjithë shqiptarëve
dhe i Bashkisë së Tiranës, ku shikoni se në çfarë gjendje skandaloze është ky oborr, prej dhjetë vjetësh, ku bashkia ka hedhur me miliarda lekë për të rikonstruktuar këtë shesh, dhe ajo që dua të them është që ky oborr, prej dhjetë vitesh, nuk është rikonstruktuar asnjëherë nga fillimi deri në fund”- deklaroi dje në mesditë zëdhënësja e këshilltarëve të LSI-së, Monika Kryemadhi. Ajo ka apeluar ndaj kryebashkiakut Edi Rama që të marrë parasysh kërkesat e këshilltarëve për projektbuxhetin e 2009-ës, ndërsa theksoi se nuk do të lejohet kurrësesi që “paratë e qytetarëve të Tiranës nuk do të shkojnë për rrush e kumbulla”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës përmes nënkryetarit Eduard Shalësi. “Iliri dhe Monika folën sot nga Sheshi Skënderbej duke pranuar hapur se ata nuk duan rregullimin e këtij sheshi, por vetëm nxjerrjen e përfitimit politik për partinë e tyre private. Ja pse Iliri me Monikën së bashku me Saliun e kanë hapur gropën ku duan të varrosin buxhetin e Tiranës”- deklaroi Shalësi, duke shtuar se “muaji qershor i zgjedhjeve do të jetë, muaji kundër Metës dhe Berishës”. Në përkrahje të kryebashkiakut Rama është angazhuar dje edhe lëvizja MJAFT. “Jemi të indinjuar që politika shqiptare në 18 vjet nuk ka arritur të emancipohet as aq sa të kuptojë thelbin e sistemit përfaqësues demokratik, pra që politika në tërësi, maxhoranca, opozita, nuk janë banditë që marrin peng autobusë për të zhvatur qytetarë të pashpresë, por shërbëtorë të këtyre qytetarëve, për t’ua bërë atyre jetën më të mirë dhe më të denjë”- u shpreh aktivisja e kësaj lëvizjeje, Elisa Spiropali. Sipas saj dështimet e njëpasnjëshme në mbledhjet e Këshillave Bashkiakë siç u dëshmua në mosvotimin e buxheteve në Tiranë dhe Korçë, nuk janë asgjë tjetër përveçse reflekse të sherreve banale për pushtet - pengje elektorale, që në fund, si gjithmonë, dëmtojnë qytetarët.