Tre arsyet pse po sulmohet familja “Berisha”
Redaksionale
Lakenjtë e opozitës dhe metastazat mediatike të Edvinit kanë regjistruar këto ditë një rekord të ri të shpifhanes ndaj familjes së kryeministrit Berisha. Nga segmentet e mejhaneve, të cilët përpiqen të hedhin në qarkullim broçkulla që s’ua besojnë as të afërmit e tyre e deri tek sms-të e Edvinit drejtuar miqve të tij mediatikë, gjithçka është drejtuar ndaj pjesëtarëve të familjes së kryeministrit Sali Berisha. Fushata tregon një urgjencë të madhe të Ramës për ta drejtuar krejt aksionin politik drejt familjarëve të zotit Berisha, pasi atje edhe pret që të marrë rezultatet e veta elektorale.
Analiza s’do shumë mend e të çon shpejt e shpejt tek pika e dobët e Edi Ramës: Ai nuk ka familje. Ka tentuar disa herë ta krijojë e ka dështuar. Këtë bërthamë të shoqërisë perëndimore ai s’e zotëron dot dhe ndihet inferior përballë Sali Berishës, një familjari shembullor, vlerë të cilën ia kanë njohur ndër dekada edhe kundërshtarët e tij më të egër politikë. Edhe po t’i marrësh emër për emër pjesëtarët e familjes së ngushtë të kryeministrit, cv-të e tyre të shkëlqyera dhe kontributi i pashoq për shoqërinë, duke nisur nga bashkëshortja, Liria, si dhe të dy fëmijët, lexohen prej Edvinit të tmerruar, si një aset i paçmuar elektoral, i cili duhet nulifikuar me çdo kusht. E mendimi i parë që vjen (e deri më tani i vetmi) është mendimi biznantin, ai i shpifjes e i shpifjes, me shpresë se diçka mund të mbetet.
Po ku di i pafamilji se ç’forcë, ç’energji e ç’mbështetje është e zonja të gëzojë një familje e shëndoshë.
Për sulmet ndaj familjes së shefit të mazhorëncës, Edvini ka gjetur aleatë të dëshpëruar si veten, edhe tek ata njerëz që misionin e tyre të nëndetëses e kanë amanet ta çojnë deri në fund, qoftë edhe me teknologjinë e vetëshkatërrimit. Në kohë të ndryshme, ata shfaqen si kamikazët, me nga ndonjë shpifje “xhevahire” bizantine, dhe pastaj të demaskuar, pluskojnë në baltovinën e shpifjes - tashmë pa ndonjë valencë e thjesht me turpin mbi shpinë. Por Edvinin kjo s’e dëmton, se me sa duket e ka ditur se ata në fakt njëpërdorimsha janë, e ku më mirë se në aleancë për të baltosur imazhin e familjes së kryeministrit (beteja e dëshpëruar, por jetike, e shefit të opozitës), ata do të thirreshin “nën armë”.
Tollumbacet e mëhershme e kanë marrë goditjen e tyre dhe asnjë rezultat duket se nuk është regjistruar, përderisa edhe institutet më të rëndësishme të sondazheve konfirmojnë mbështetjen masive të qytetarëve për mazhorancën e kryeministrit Berisha (më të interesuarit mund të shohin në internet rezultatet e institutit slloven IFIMES, i specializuar për sondazhet në rajonin e Ballkanit - pasi s’është ky qëllimi i shkrimit - i cili dje publikoi rezutlatet paraprake dhe paralajmëroi një rimandatim të kryeministrit në detyrë), por kjo nuk e ndali këtë makinë propagandistike të lëshonte këto ditë kryqëzatën kundër Jamarbër Malltezit. Në fakt, shpifjet e fundit për projektin e Bankës Botërore, për zhvillimin e bregdetit jonian, erdhën jo vetëm për motivet politike të lartpërmendura, por edhe për interesa ngushtësisht personale. Projekti rregullator fshinte allishverishet paraprake të kryera nga entourage-i i Edvin Ramës, i cili e kishte njollosur prej bregun jonian me ndërtime të projektuara si sarajet e reja të pashallarëve të Partisë Socialiste. Kjo perspektivë u bllokua nga projekti i Jamarbër Malltezit dhe shqetësimi qe aq i madh sa sekserët arritën të nisnin një procedurë bllokimi në bordin e Bankës Botërore.
Mungesa e familjes nga ana e Edvinit, aleanca e fshehtë me nëndetëset e politikës dhe cenimi i interesave korruptive në bregdetit jonian përbëjnë tre arsyet kryesore të acarimit të së majtës ndaj familjes së kryeministrit Berisha, por historia e opozitës së baltovinës vazhdon prej vitesh dhe po ajo histori na tregon edhe rezultatin politik që mund të dalë prej andej: një turpërim tjetër i Edvin Ramës.